Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka deklaruar se pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten ta sulmojnë Serbinë janë “marrëzira”, duke theksuar se me njerëz që përhapin narrativa të tilla është vështirë të ndërtohen marrëdhënie normale dhe miqësore.“Kroacia askënd nuk e sheh si armik, dhe shpresoj që as ne askush nuk na sheh seriozisht si armik, përveç atyre që flasin marrëzira se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten ta sulmojnë Serbinë. Me njerëz të tillë është vështirë të punohet dhe të ndërtohen marrëdhënie normale e miqësore, të cilat i synojmë”, tha Millanoviq në fjalimin e tij me rastin e shënimit të 35-vjetorit të themelimit të Brigadës së Tretë Gardiste të Ushtrisë Kroate “Kune”.
Ai shtoi se Kroacia dëshiron të ndërtojë raporte paqësore dhe të qytetëruara me fqinjët, në dobi të ndërsjellë.“Ne e dimë kush jemi, e dimë për çfarë jemi të aftë, e dimë se nuk kemi armiq dhe se duam të ndërtojmë marrëdhënie paqësore e të qytetëruara në dobi të ndërsjellë dhe të gjithanshme”, potencoi presidenti kroat.
Duke folur për marrëdhëniet rajonale, Millanoviq theksoi se në kohën kur bota po përballet me zhvillime të paparashikueshme, Kroacia duhet së pari të rregullojë çështjet e brendshme dhe më pas raportet me fqinjët.“Kroacia duhet ta rregullojë shtëpinë e vet dhe të përpiqet t’i rregullojë marrëdhëniet me fqinjët, me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, si dhe statusin e popullit kroat në Bosnje e Hercegovinë”, u shpreh presidenti kroat, Zoran Millanoviq.



