Milani në bisedime të avancuara me Ilkay Gundogan

Milani thuhet se është në bisedime të avancuara me mesfushorin e Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, i cili është në dispozicion si lojtar i lirë nga 1 korriku.

Kontrata e gjermanit skadon në fund të qershorit dhe sipas gazetës Il Corriere dello Sport, Rossonerët kanë hapur bisedimet me mesfushorin me përvojë.

Barcelona po negocion gjithashtu me 32-vjeçarin, por sipas gazetës italiane, Milani është në ‘bisedime të avancuara’ me ish-yllin e Borussia Dortmund.

Gazetari Fabio Mandarini shkroi në edicionin e sotëm (e shtunë) se kuqezinjtë janë ‘të sigurt’ se Gundogan do të transferohet në San Siro gjatë kësaj vere.

Megjithatë, mesfushori gjerman do të marrë një vendim për të ardhmen e tij pas finales së Ligës së Kampionëve të javës së ardhshme kundër Interit në Stamboll.

Për Gundogan interesim ka shprehur edhe Arsenali, ndërsa nuk përjashtohet rinovimi me Cityn.

Milani njoftoi zgjatjen e kontratës së Rafael Leaos të premten dhe tashmë ka siguruar dy nënshkrimet e para për sezonin e ardhshëm, me Daichi Kamada dhe Marco Sportiello që i bashkohen klubit si transferime të lira në korrik.