Mikpritje për një racist serb!

Shkruan:  Enver Robelli

Në vjeshtën e vitit 2015 mediat në gjuhën shqipe njoftuan se në Teatrin Kombëtar në Tiranë do të shfaqet drama “Spiuni i Ballkanit” i dramaturgut serb Dushan Kovaçeviq. Lajmin për këtë shfaqje e kopjoi nga mediat e Tiranës edhe ndonjë medium në Prishtinë. U tha se Dushan Kovaçeviqi ka shkruar “një dramë familjare, plot humor dhe batuta të ndërthurura mjeshtërisht”. Me brohoritje u njoftua pastaj se drama po rikthehet në Teatrin Kombëtar në Tiranë, me gjasë interesimi ishte i madh.Çfarë nuk u përmend atëbotë në raportimet e mediave në gjuhën shqipe ishin deklaratat permanente antishqiptare të akademikut serb Dushan Kovaçeviq. Para 10 vitesh, pra para shfaqjes së dramës së tij në Tiranë, Kovaçeviqi në librin e tij “Dvadeset srpskih podela” (Njëzet përçarje serbe) shkroi se çdokush ka të drejtë të heq dorë nga shtëpia e tij, nga oborri dhe nga vend-varrimi, por askush nuk ka të drejtë të heq dorë nga territori shtetëror, e më së paku “nga Kosova e Metohia”.

Së fundi Dushan Kovaçeviqi i dha një intervistë revistës “NIN” të Beogradit. Nga kjo intervistë në botën mediale shqiptare u përfol vetëm pjesa që tingëllonte si humoristike ku Kovaçeviqi thotë se nëse shpërthen lufta, ai do të themelojë me shokët e tij një legjion të pleqve për të luftuar dhe se njohja e Kosovës nga Serbia është e pamundur për arsye morale e ligjore që gjoja vlejnë në Serbi.

Intervista e Dushan Kovaçeviqit përmban deklarata të tjera që dëshmojnë se kemi të bëjmë me një racist të regjur serbomadh dhe jo me një humorist. Në intervistë ai në mënyrë permanente u drejtohet shqiptarët si “šiptari”, të cilët “hapin zjarr ndaj fëmijëve, arrestojnë, rrahin njerëz dhe me përmes çdolloj terrorizmi të mundshëm të butë tentojnë të nxisin serbët që të futen në luftë”.

Kovaçeviqi shpjegon se pse i quan shqiptarët e Kosovës “šiptari”, një emërtim me konotacion racist që përdoret nga nacionalistët serbë. Ai thotë se këtë emërtim e ka dëgjuar nga “njerëzit prej Shqipërisë”. “Kur kanë qenë mysafirë në teatrin Zvezdara (të Beogradit) më kanë thënë po ashtu se nuk do të dëshironin të bashkëjetonin me njerëz të cilët, thënë më së buti, merren me punë të dyshimta”. Ndoshta Kovaçeviqi gënjen. Por po aq e mundshme është që ndonjë “mondialist” nga Tirana “i pangarkuar me nacionalizëm” (sipas vetë-prezantimit) t’ia hap zemrën një dramaturgu nacionalist serb dhe t’i ankohet për “šiptari” të Kosovës me të cilët “nuk do të dëshironin të bashkëjetonin”.

Pastaj Kovaçeviqi me plot krenari tregon se e ka takuar një shqiptar të mirë. Ndodhi kjo në Korfuz ku Kovaçeviqi me gjasë kalonte pushimet, ndërsa shqiptari punonte kopshtar në një hotel dhe derisa kosiste barin këndonte këngë argëtuese serbe. Qe, pra, çka është shqiptari i mirë sipas një akademiku nacionalist serb: ai kosit bar në mërgim dhe këndon këngë serbe!

Në diskursin serb shqiptari më i preferuar është hamalli, i cili gjatë ditës kryen punë të rënda për “pasanikët e kulturuar” të Beogradit, natën e kalon duke fjetur në ndonjë kolibe dhe në mëngjes hap një konservë me sardele para se padronët serbë ta ngarkojnë me qymyr. Në librin e tij “Arnautët dhe Fuqitë e Mëdha” (të botuar më 1913 edhe në gjermanisht) mjeku dhe politikani serb Vlladan Gjorgjeviq i përshkruan shqiptarët si të vetmit në botë që ende kanë bisht. Këta “njerëz me bisht”, sipas tij, janë të etur për gjak, të ngjashëm me shtazët dhe rrjedhimisht të paaftë të dallojnë sheqerin nga bora. Para tij këtë përrallën për sheqer dhe borë e kishte shkruar Ivan Jastrebovi, konsulli rus në Prizren.

Kryeministri serb Nikolla Pashiqi theksonte se insistimi në pavarësinë e Shqipërisë nuk do të ishte as në interes të Shqipërisë, as të Europës, sepse shqiptarët nuk janë të gatshëm për pavarësi, as nuk e meritojnë atë. Ata, sipas Pashiqit, nuk kanë njerëz që dinë të qeverisin vendin, andaj nëse Shqipëria do të ishte e pavarur, ajo do të ishte përherë vatër e trazirave në Ballkan.

Kjo retorikë e politikanëve serbë kishte për qëllim prezantimin e shqiptarëve si të padenjë për shtet dhe shpaloste ambicien e Serbisë për të dalë në bregdetin shqiptar. Kur më 1912 ushtria serbe pushtoi Durrësin, ushtarët serbë ngulën shtizën e flamurit serb në bregdet dhe brohoritën: “Živelo srpsko more” (Rroftë deti serb).

Më shumë se 100 vjet më vonë, në pranverën e vitit 2019, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq duke folur për liderët e Kosovës me biografi politiko-ushtarake tha se “kemi të bëjmë me njerëz që vijnë nga mali”. Kjo deklaratë nuk qëndron larg definicionit racist të Dobrica Qosiqit mbi shqiptarët si “bërllok social” i Ballkanit dhe si “popull tribal dhe barbar”.

Në këtë traditë “argumenton” edhe dramaturgu Dushan Kovaçeviq kur merret me karakteristikat fizike të kryeministrit të Kosovës, i cili, sipas tij, i ngjan “Mister Binit”, por “nuk duhet të mashtrohemi nga kjo, sepse në shpirt ai është Bin, por Bin Laden”. Kështu flet intelektuali i një populli që në vitet 90-të ka zgjedhur një udhëheqje politike e cila ka kryer gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, menjëherë pas nazistëve. Ndoshta në ndonjë teatër shqiptar është duke u përgatitur shfaqja e radhës e Dushan Kovaçeviqit.