Mickoski: Zaev dhe Buçkovski po zhvillojnë bisedime të fshehta me Bullgarinë, po përgatitet tradhti nacionale

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në rrjetin social fejsbuk, ka shkruar se ka marrë disa informacione nga burime diplomatike se janë duke u zhvilluar bisedime të fshehta me Bullgarinë, të udhëhequra nga Buçkovski në Bullgari dhe nga Zaevi në Shkup.

Sipas tij, Deklarata e miratuar nga parlamenti bullgar, duhet të bëhet pjesë e kornizës negociuese me Bashkimin Evropian.

“Një pjesë e dokumentit të kuvendit bullgar konteston gjenezën dhe veçantinë e gjuhës maqedonase, revizion të historisë dhe periudhës së luftës antifashiste, si dhe përvetësimin e personazheve të rëndësishëm të historisë maqedonase si bullgar dhe disa lëshime të tjera që janë fatale për Maqedoninë. Zaev betohej se nuk pranon bisedime për identitetin dhe gjuhën, ndërsa me pranimin e Deklaratës bullgare të jetë pjesë e kornizës negociuese bë BE, në mënyrë direkte na vendos në pozitë të bisedojmë për identitetin dhe gjuhën maqedonase”, ka shkruar Mickoski, përcjell SHENJA.

Ai shton se informacionet e tij flasin se dyshja Zaev-Buçkovski, planifikon që kjo të nënshkruhet nga ana e tyre pa pasur diskutim dhe miratim të dokumentit në Kuvendin e Maqedonisë.

“Nëse Zaev e pranon këtë, kjo do të thotë se na vendos në pozitë të mohojmë identitetin maqedonas dhe të pranojmë se ekzistojmë si popull nga viti 1945, që është një nebulozë dhe turp për të gjithë ne dhe për paraardhësit dhe brezat tanë”, ka shkruar Mickoski.

Mickoski thotë se kjo nuk duhet të lejohet dhe ka bërë thirrje për gatishmëri për bllokada dhe protesta masovike. /SHENJA/