Mickoski: Vitin e kaluar ishim në 5 vendet e para në Evropë për nga rritja e BPV-së, në kohën e LSDM-së ishim të fundit

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistë për Ora24.tv, duke folur për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D, si dhe për investimet e tjera dhe për zhvillimet në ekonomi, theksoi disa të dhëna për rritjen e BPV-së, sipas të cilave, në vitet 2024 dhe 2025, Maqedonia renditet ndër pesë vendet e para në Evropë sa i përket rritjes së BPV-së, ndërsa gjatë qeverisjes së kaluar vendi ishte i fundit në rajon sipas këtij parametri.

“Lajmi i mirë për ekonominë maqedonase dhe për qytetarët është se rritemi, vitin 2025 e mbylli me rrenditjen në pesë vendet e para në Evropë dhe këto janë fakte, menjëherë pas Irlandës, Maltës dhe Qipros, së bashku me Poloninë. Këto janë të dhëna të Eurostatit. E njëjta situatë ishte edhe në vitin 2024. Para gjashtë apo shtatë vitesh ishim në fund të rajonit, ndërsa tani jemi liderë në rajon dhe ndër pesë vendet e para në Evropë për nga përqindja e rritjes së bruto prodhimit vendor. Përveç kësaj, mund të them se në dy muajt e parë të vitit kemi rritje dyshifrore në përqindje të të ardhurave në buxhet, që do të thotë se ekonomia po ecën mirë, paguhet tatimi mbi vlerën e shtuar, nuk ka më aq shumë ekonomi gri, si në import, ashtu edhe në qarkullimin e brendshëm, fitimet janë më të mëdha dhe është rritur edhe tatimi mbi fitimin krahasuar me vitin e kaluar, që do të thotë se kompanitë po punojnë dhe po realizojnë fitime, janë rritur edhe kontributet, që do të thotë se të ardhurat e të punësuarve janë rritur nga 12 deri në 13 për qind. Kështu që absolutisht fillimi i vitit premton një vit shumë të mirë ekonomik”, theksoi Mickoski për Ora24.tv, duke shtuar se e gjithë kjo varet edhe nga kohëzgjatja e zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe nga ndikimi i tyre në burimet energjetike dhe ekonominë botërore.