Mickoski takon Miçel: Qytetarët qartë porositën se nevojiten ndryshime që do të sigurojnë të ardhme dhe qeveri të qëndrueshme

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, nënkryetari Aleksandar Nikollovski dhe sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar Timço Mucunski sot realizuan takim me kryetarin e Institutit Demokratik Kombëtar të SHBA-së, Derek Miçel.

Siç theksohet në kumtesën e parties, Mickoski ka përshëndetur angazhimin dhe bashkëpunimin e IDK-së me VMRO-DPMNE-në ndërkaq ka shprehur gatishmëri për thelllimin e bashkëpunimit, me qëllim përforcimin e proceseve demokratike në vend.

“Bashkëbiseduesit folën edhe për rezultatet e zgjedhjeve lokale, për të cilat kryetari Mickoski theksoi se qytetarët qartë porositën se nevojiten ndryshime të cilat do të sigurojnë një të ardhme të re dhe një qeveri të qëndrueshme e cila do t’i reflektojë kërkesat e qytetarëve. Të gjithë kryetarët e komunave të VMRO-DPMNE-së do të punojnë për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët në vend si dhe realizimin e projekteve kryesore të cilat i premtuan në fushatën zgjedhore. Njëherë ai theksoi se nevojitet hetim i plotë për keqpërdorimet e institucioneve shtetërore në procesin zgjedhor si dhe për mjetet jodemokratike të përdorura nga pushteti në largim”, thuhet mes tjerash në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se bashkëpunimi me IDK-në duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të përmirësimit të proceseve demokratike në shtet./TV21