Mickoski: Sali dhe Hoxha do të jenë ministra të rinj, ndërsa në pranverë do të ketë ndryshime në Qeveri dhe institucione

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka konfirmuar që Bekim Sali dhe Muhamed Hoxha do të jenë dy ministrat e ardhshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Propozimi im është dërguar sot në Kuvend, ato janë Muhamed Hoxha për mjedisin jetësor dhe Bekim Sali për çështje evropian dhe zëvendëskryeministër të Qeverisë”, deklaroi Mickoski.

Ai vlerësoi se ministri Azir Aliu është duke e kryer punën si duhet, ndërkohë sqaroi që në pranverë do të ketë edhe ndryshime tjera në Qeveri.

Ndryshe, Izet Mexhiti, një nga liderët e koalicionit VLEN dhe kryetar aktual i Komunës së Çairit, më 28 nëntor i konfirmoi zgjidhjet kadrovike që do t’i propozojnë për vendet ministrore të lira. Mexhiti konfirmoi se ish-zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, do të jetë ministri i ri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.