Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, bëri thirrje që qytetarët sa më masivisht të dalin në votim në këto zgjedhje lokale, pasi siç tha ai, është garë ndërmjet dy grupacioneve dhe “njëri është grupi i cili është koalicion joformal mes LSDM-së, BDI-së dhe Të Majtës i cili në këto zgjedhje del, kryesisht, me fushatë të zezë nga dita e parë deri më sot”.
Ai tha se opozita ka një fushatë gënjeshtrash, shpifjesh, një fushatë në të cilën po përpiqen të fyejnë përsëri qytetarët, inteligjencën e tyre dhe të luajnë me kartën e kujtesës afatshkurtër.
“Sikur të gjithë kemi harruar se deri vetëm një vit e gjysmë më parë, qeveria në Maqedoni ishte koalicioni i LSDM-së dhe BDI-së. Sikur qytetarët nuk e kuptojnë gjithçka që bënë dhe sikur i kanë harruar të gjitha skandalet e tyre që po na ndodhnin në atë kohë”, tha Mickoski, duke shtuar se duke vepruar kështu “ata humbën vetëm fushatën dhe mesazhet politike, ne dëgjuam gjithçka përveç projekteve që ofronin”.