Tym i zi ditëve të fundit po del nga oxhaqet e termocentralit të Manastirit. E pamjet e tilla nëpërmjet rrjeteve sociale i ka përcjellë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Si pasojë e tymit është e shkaktuar edhe ndotje enorme e ajrit, ndërsa Mickoski në mbishkrimin e fotografive ka shkruar se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë.
“TEC Manastir sot/këto ditë. Kush do të mbajë përgjegjësi penale për këtë ECOcid? Hajde koleg Tupançevski, ta shohim propozimin tënd në veprim, si do të funksionojë…”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kanë reaguar nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut. Shpjegojnë se po kryhen testime të herëpashershme të impiantit “kazan startues”, qëllimi i të cilit është që t’i ofrojë mbështetje blloqeve kur nevojitet për sasi të shtuar të avullit të ujit për turbinat. Një kontroll i tillë është bërë sot mes orës 6:30 dhe 07:00. Sqarojnë se impianti funksionon me mazut dhe në momentet e para të fillimit të funksionimit ka rritje të shkarkimeve të tymit dhe gazrave të shkarkimit.
SHA EMV bën përpjekje maksimale për të operuar sipas të gjitha standardeve, në kushtet kur prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri dhe nafta në kushte krize energjetike është i pashmangshëm. Qytetarët duhet të qetësohen për angazhimin e kompanisë për mirëmbajtjen e termocentraleve dhe investimin në burime të rinovueshme.
Janë kundërpërgjigjur edhe nga partia në pushtet LSDM. Kanë shkruar se lideri i opozitarës maqedonase Hristijan Mickoski në mungesë të politikave për qytetarët, po shpërndanë lajme të rrejshme.
“Qytetarët të jenë të qetë, bëhet fjalë për testim të mjeteve ndihmëse në TEC Manastir, e cila pas provës së shkurtër është shkyçur. Për dallim nga Mickoski në kohën e të cilit nuk kishte krizë, por çmimi i rrymës dyfishohej, ndërsa ai filloi biznes me hidrocentralet e vogla, institucionet e udhëhequra nga LSDM gjatë krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në botë, kanë ndërmarrë shumë masa për mbrojtje të qytetarëve dhe ekonomisë.”- thonë nga LSDM.
Ndërkaq ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupancevski, ka paralajmëruar se me ndryshimet në Kodin penal do të futet vepra penale Ekocid, e cila do të përfshijë personat që ndotin ambientin jetësor dhe është paraparë dënim me burg për 4 vjet./tv21





