Mickoski: Projekti “Qyteti i Sigurt” ka arritur qëllimet e tij

Kryeministri Hristijan Mickoski ende nuk e di nëse LSDM-ja do të mbështes ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, me të cilat do të hapet rruga që sistemi Safe City, të funksionojë nga 1 shkurti. Megjithatë, Mickoski tha se është i kënaqur me periudhën testuese të këtij projekti dhe se deri tani ai i përmbush qëllimet njerëzore.

“Nuk e di nëse LSDM do të japë mbështetje për projektin Qyteti i Sigurt, por ajo që është e rëndësishme është se projekti Qyteti i Sigurt tashmë i ka arritur qëllimet e tij njerëzore bazë. (deri në 8.57)… (nga 9.09). Shifrat në janar janë edhe më inkurajuese krahasuar me ato të dhjetorit. Kjo do të thotë se kemi më shumë jetë njerëzore të shpëtuara, më pak aksidente trafiku, më pak pacientë në trauma dhe në fund të ditës komunikacion më të sigurt”, u shpreh Kryeministri Hristijan Mickoski.

I pyetur se si do të parandalohet keqpërdorimi i të dhënave personale të qytetarëve që mblidhen përmes sistemit Safe City, kryeministri tha se duhet të ketë protokolle, por edhe se një pjesë e çështjeve mbetet të zgjidhen gjatë implementimit të projektit.

“Duhet të kemi protokolle, për shumë gjëra duhet të kemi protokolle, dje e diskutuam këtë, shumë gjëra gjatë implementimit do të ndiejmë se mungojnë, në fund të fundit askush menjëherë kur e ka implementuar këtë projekt nuk ka qenë perfekt njëqind për qind. Është logjike që në tre deri gjashtë muajt e ardhshëm të kemi disa harmonizime”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.

Që projekti Safe City të mund të funksionojë dhe secili që do të bëjë kundërvajtje të sanksionohet, në Kuvend duhet të ndodhin ndryshime në Ligjin për kundërvajtje. Kryeministri më herët paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të ketë seancë ku do të miratohen ndryshimet. Seanca e ardhshme parlamentare është caktuar për të mërkurën, megjithatë këto ndryshime ende nuk janë futur në rendin e ditës. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, dje nuk zbuloi nëse grupi parlamentar i kësaj partie do t’i mbështesë ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, ndërsa nga BDI për Alsat thonë se qëndrimin e tyre do ta shprehin gjatë dy ditëve të ardhshme në konferencë për media pikërisht për këtë temë. Për këto ndryshime ligjore që të kalojnë në Kuvend nuk nevojitet Badenter, por shumicë prej dy të tretave, për çka do të jetë e nevojshme mbështetja e disa deputetëve nga opozita./Alsat.mk