Mickoski pret ulje të inflacionit dhe paralajmëron aksione të ashpra ndaj marketeve me praktika të padrejta

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski në një deklaratë për media theksoi se pret që edhe në dhjetor inflacioni të vazhdojë të ulet krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Ndërkaq, Mickoski njoftoi se gjatë këtij muaji do të ketë “aksione të ashpra” ndaj dy ose tre marketeve për shkak të praktikave të padrejta tregtare.

“Vlerësoj se politika e kujdesshme e Qeverisë, duke u larguar nga masat që në një ose dy muaj jepnin rezultate, por më pas çrregulloheshin në muajt pasues dhe kishim inflacion të lartë, rreth 4.5 deri afër 5%, tashmë ka sjellë inflacion nën 4% për këtë vit. Për vitin e ardhshëm pres të jetë rreth 2–3%. Vlerësoj gjithashtu punën në terren të Inspektoratit të Tregut dhe të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, të cilët analizojnë praktikat tregtare të padrejta dhe reagojnë me ashpërsi. Janë hapur disa procedura dhe po ndjekim nga afër disa markete,” tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mes tjerash, Mickoski theksoi se këtë muaj dhe muajin e ardhshëm pritet të ketë “gjoba të ashpra për marketet që kanë vepruar në mënyrë të padrejtë”.

“Disa markete, përmes, kushtimisht, shërbimeve të marketingut ose studimeve të tregut, kanë imponuar taksa që mund të konsiderohen si praktika të padrejta tregtare ndaj prodhuesve dhe distributorëve të produkteve, vetëm për të siguruar vend më të favorshëm në raftet e tyre. Ne i monitorojmë me shumë kujdes. Heshtja nuk do të thotë se nuk i ndjekim. Në janar pres që të fillojmë aksione të ashpra ndaj dy, ndoshta edhe tre marketeve të tilla,” përfundoi Mickoski.