Kryeministri Hristijan Mickoski ka propozuar që ndryshimet kushtetuese të miratohen tani në Kuvend, por të hyjnë në fuqi vetëm pasi të përfundojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe protokolli i anëtarësimit të ratifikohet nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare.
Mickoski, në një intervistë për Këshillin Atlantik në Uashington, tha se ky mekanizëm do të ishte një garanci që pas përmbushjes së kushtit aktual të mos ketë pengesa apo kushte të reja.
“Ky është një garanci se nuk do të ketë pengesa shtesë dhe se kjo është e fundit”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, qeveria e mëparshme kishte pranuar ndryshimet kushtetuese pa pasur shumicën prej dy të tretash të nevojshme në Kuvend për t’i miratuar ato.
Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e kushteve të përcaktuara në kuadër të vendimit të vitit 2022 për avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Mickoski tha gjithashtu se për këtë çështje Qeveria po konsultohet me partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-në.



