VMRO-DPMNE-ja ka urdhëruar këshilltarët e saj nëpër të gjitha komunat që brenda javës së ardhshme të dorëzojnë në këshillat përkatës dokument për ta votuar me qëllim të zotimit se në territorin e asaj komune nuk do të ketë migrantë ose kampe migrantësh. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo është për të vërtetuar se qeveria nuk e ka në plan të strehojë migrantë në vend. Gjithashtu kërkoi që të ndiqen penalisht LSDM-ja dhe të gjithë ata që ngjallin frikë te qytetarët për këtë temë.
“Do të kërkojmë nga institucionet kompetente që në përputhje me Kodin penal të nisin procedura kundër të gjithë atyre të cilët ngjallin frikë dhe panik. Edhe përskaj mohimeve publike nga qeveria, ata janë përgjegjës penalisht për atë që e bëjnë. Unë e kuptoj që ju të keni probleme në parti, të mos mund të mobilizoni bordin ekzekutiv, që askush të mos e marrë angazhimin që të formoni strukturë dhe organizata komunale dhe kjo është në rregull. E kuptoj edhe që këtë temë mund ta hapni një ose dy herë, por kur zyrtarisht ka përgënjeshtrim nga kryeministri dhe ministrat, ju e tejkaloni kufirin dhe me vetëdije ngjallni panik dhe frikë dhe për këtë parashikohen sanksione në Kodin penal”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
LSDM-ja nuk është e bindur në deklaratat e kryeministrit dhe të përfaqësuesve të tjerë të qeverisë. Kjo parti bën thirrje për nënshkrimin e Rezolutës që ata propozojnë kundër migrantëve dhe votimin e saj në Kuvend. Filipçe madje ftoi në takim partnerët e koalicionit për këtë çështje.
“LSDM e futi Maqedoninë në NATO për të siguruar sigurinë dhe kufijtë shtetërorë, kurse VMRO-DPMNE kërcënon sigurinë tonë me plane për të sjellë emigrantë për para. Shteti nuk ka para, kështu që do të marrë një kredi që fëmijët tanë do ta shlyejnë, për të akomoduar emigrantët që vendet e tjera të BE-së po i dëbojnë për të ruajtur sigurinë në vendet e tyre”, thonë nga LSDM.
Tema e migrantëve u hap pasi javën e kaluar disa media britanike njoftuan për një marrëveshje të mundshme mes qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe të Maqedonisë për deportimin në vend, të azilkërkuesve që qeveria britanike ka refuzuar. /Alsat.mk




