Mickoski: Kryeministri frikësohet nga takimi i liderëve

Lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski për “Sitel” ka paralajmëruar bllokadë të Kuvendit në përpjekje për të siguruar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Maqedonia nuk ka qenë kurrë më keq. Edhe në një situatë të tillë nuk duhen parë interesat e ngushta partiake, por duhet zgjatur një dorë. Në kohë krize, ne duhet të krijojmë unitet. Pyes veten se si kryeministri vetëm 100 ditë më parë mburrej se ka bërë një bisedë telefonike me mua, 100 ditë më vonë ka frikë të dalë në një mbledhje të liderëve ku do të flasim për zgjedhje të parakohshme. Nuk kam frikë të shkoj në zgjedhje, ai po ikën nga zgjedhjet e parakohshme”, tha Mickoski.

Lideri i OBRM-PDUKM-së ka paralajmëruar për nesër Komitetin Ekzekutiv të partisë i cili do të diskutojë për hapat pas 10 majit. Ai paralajmëroi një lloj bllokadë institucionale, si bllokadë aktive e Kuvendit të Maqedonisë, me përjashtim të atyre ligjeve që nënkuptojnë paga më të larta për qytetarët.

“Shpesh, kur lëviz mes qytetarëve, ndeshet me pyetjen “çfarë po bëni, pse heshtni”. Por nuk është kështu. Dikush në mënyrë aktive po mundohet të imponojë tezën se të gjithë janë të njëjtë, ne po luftojmë aktivisht për ta mohuar atë tezë”, tha Mickoski.

Ai ka kërkuar mbështetjen e shoqërisë për hapat që do të ndërmarrë partia në periudhën e ardhshme.