Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se gjatë takimit të së premtes me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të hapë çështjen e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe do të propozojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të BE-së në bisedimet me Bullgarinë.
Sipas Mickoskit, dialogu i deritanishëm me Sofjen nuk ka dhënë rezultate, ndaj prania e përfaqësuesve evropianë do të mundësonte që argumentet e të dyja palëve të dëgjoheshin drejtpërdrejt.
Ndërkohë, “Politico” ka raportuar se BE-ja po përgatit udhërrëfyes për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut. Mickoski tha se nuk ka konfirmim se vendi është lënë jashtë dhe kërkoi që kjo të sqarohet nga vetë BE-ja.
Nga opozita, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi Mickoskin se me politikat e tij po e izolon vendin dhe po e largon nga rruga evropiane.
Von der Leyen pritet të mbërrijë të premten në Shkup, në kuadër të turneut të saj rajonal.
Lajme Mickoski kërkon BE-në në tryezë me Bullgarinë: Të premten përballë Von der...



