Dy zv.ministra të qeverisë do të zgjidhen gjatë javës së ardhshme, në mesin e tyre, edhe zv.ministri i Mbrojtjes, pozitë që për më shumë se dhjetë muaj ka qenë vakante.
Në rendin e ditës së 4 marsin në Kuvend është propozimi për zgjedhjen e Admir Shabanit zv.ministër të Mbrojtjes dhe ai për zgjedhjet e Driton Sulejmanit, zv. Ministër të arsimit. Të dy figurat janë të njohura për opinionin, meqë vinë nga pozita që kanë qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me mediat.
Shabani është jurist i diplomuar, vjen nga radhët e KSHZ-së ku ka punuar për më shumë vite, kurse më herët ka punuar edhe në Agjencinë e Punësimit, në Katastrën e patundshmërive dhe në Qeveri. Kjo pozitë ishte e lirë që pas dorëheqjes së Elfete Ismailit, me largimin e Arben Taravarit nga qeveria, në maj të 2025. Që atëherë VLEN nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të propozuar kuadër të ri.
Ndërkohë Sulejmani vjen nga pozita e zëdhënësit të VLEN-it. Ai është ekonomist i diplomuar, profesor në shkollën “Cvetan Dimov”, ish drejtor i Muzeut të Shkencave Natyrore dhe ish këshilltar në Komunën e Kumanovës.
Sulejmani vjen në pozitën të cilën deri pak javë më parë e mbante Lulzim Aliu. Aliu dha dorëheqje kurse prapaskenën politike pas këtij vendimi VLEN-i nuk e komentoi aspak.
Me këtë, koalicioni VLEN kompleton kuadrin në eshalonin e dytë të pushtetit por shumë pozita drejtorësh dhe zv.drejtorësh mbeten pa plotësuar akoma. /Alsat.mk





