Mexico City po fundoset me gati 25 centimetra në vit, sipas të dhënave të reja satelitore të NASA. Shkencëtarët paralajmërojnë se ky proces po e rrezikon gjithnjë e më shumë infrastrukturën dhe po e përkeqëson krizën kronike të ujit në qytet.
Kryeqyteti meksikan dhe zonat përreth janë ndërtuar mbi një shtrat të lashtë liqeni, çka e bën terrenin veçanërisht të paqëndrueshëm dhe të ndjeshëm ndaj fundosjes.
Për dekada me radhë, nxjerrja e pakontrolluar e ujërave nëntokësore, e kombinuar me urbanizimin e shpejtë, ka zbrazur “akuiferët” dhe ka shkaktuar uljen graduale të tokës prej më shumë se një shekulli.
Pasojat janë tashmë të dukshme në shumë struktura historike dhe ndërtesa të vjetra, përfshirë Metropolitan Cathedral, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 1573.
Gjeofizikani Enrique Cabral nga National Autonomous University of Mexico thotë se ky fenomen po dëmton rëndë infrastrukturën jetike të qytetit, shkruajnë mediat.
“Kjo po prek një pjesë të infrastrukturës kritike të Mexico City-t, si metroja, sistemi i drenazhimit, furnizimi me ujë, rrjeti i ujit të pijshëm, banesat dhe rrugët. Është një problem shumë i madh”, tha ai.
Sipas raportit më të fundit të NASA-s, në disa zona toka po ulet mesatarisht rreth dy centimetra në muaj, përfshirë edhe zonën e aeroportit kryesor dhe monumentin Angel of Independence. Kjo përkthehet në rreth 24 centimetra në vit, ndërsa në më pak se një shekull, niveli i tokës është ulur mbi 12 metra.
Të dhënat bazohen në matjet e kryera mes tetorit 2025 dhe janarit 2026 nga sateliti NISAR, një projekt i përbashkët i NASA-s dhe Indian Space Research Organisation.
Shkencëtari Paul Rosen thekson se teknologjia satelitore ofron një pamje shumë më të saktë të proceseve nën sipërfaqe: “Mund të shihet shkalla e plotë e problemit”.
Studiuesit besojnë se këto të dhëna do të ndihmojnë në monitorimin më të detajuar të zonave të rrezikuara dhe në planifikimin më efektiv të masave për të zbutur pasojat.
Ndërkohë, Cabral shton se autoritetet e kanë neglizhuar për dekada këtë problem, duke ndërhyrë vetëm herë pas here në përforcimin e themeleve të monumenteve kryesore. Megjithatë, pas përkeqësimit të krizës së ujit, kanë nisur më në fund edhe investimet në kërkime të reja.




