Mexhlisi i Ulemave të Shkupit! Organizimi i Bashkësisë Fetare Islame 1930-1941 (1)

Në fillim të vitit 1935, ndodhën trazira të shumta brenda organeve të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, të cilat erdhën si rrjedhojë të kërkesave të vazhdueshme të krahut opozitar shqiptar, që me këtë bashkësi të udhëheqin vendorët, përkatësisht shqiptarët, e jo klika serbomadhe e instaluar nga Bosnja e Hercegovina

Nga Qerim LITA

Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.

ORGANIZIMI I BASHKËSISË FETARE ISLAME 1919-1930

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), u formuan dy organizata të komunitetit mysliman: Bashkësia Fetare Islame e Bosnjës e Hercegovinës, e cila pati një autonomi të plotë që buronte nga Kushtetuta e sjell që nga koha e Perandorisë së Austro-Hungarisë. Qendra e saj ishte Sarajevë ndërsa me të udhëhiqte Reis-ul-Ulemaja; dhe, Myftinia Supreme, në kuadër të së cilës përfshihej komuniteti mysliman i Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Sanxhakut. Qendra e saj ishte Beogradi ndërsa me të udhëhiqte kryemyftiu, i cili njihej si myftiu suprem. Për dallim nga BFI-ja e Bonjës e Hercegovinës, Myftinia Supreme, ishte nën varësi të plotë të Qeverisë së SKS-së, përkatësisht të Ministrisë për Fe. Veprimtaria e saj mbështetej mbi një Rregullore të miratuar gjatë vitit 1919, e cila në vitin 1920 kaloi në Ligj. Sipas dispozitve të asaj rregulloreje, i tërë pushteti ishte koncentruar tek kryemyftiu, dhe myftitë e qarqeve e të rretheve të cilët emëroheshin nga ana e ministrit për Fe. Në krye të këtyre institucioneve u emëruan njerëz më të besuar të pushtetit, siç ishin Hasan Rebac, udhëheqës i Dhomës Myslimane e cila funksiononte në kuadër të ministrisë, Mehmet Zeki, kryemyfti dhe Mustafa Kulenoviq sekretar i Ministrisë Supreme etj.

Në fakt, e tërë struktura udhëheqëse, përfshi këtu edhe myftitë e qarqeve e të rretheve përbënin elementin më të besueshëm të pushtetit dhe si të tillë atyre, krahas organizimit fetar u qe besuar edhe menaxhimi, përkatësisht administrimi i pasurisë vakëfnore. Pikërisht, mënyra e këtillë e organizimit fetar solli deri te uzurpimi dhe plaçkitja e pakontrolluar e pronës vakëfnore. Dokumentet e kohës hedhin dritë se gjatë periudhës kohore tetor 1918 – maj 1925, shumë objekte vakëfnore, si xhamia, hane, medrese, dyqane, tokë bujqësore, pyje etj., qenë uzurpuar nga ana e njësive ushtarake, policore si dhe nga zyrtar e nëpunës të ndryshëm civil serb të cilët pushteti qendror në Beograd i kishte dërguar në tokat e pushtuara shqiptare të udhëheqin me pushtetin lokal. Më 11 maj të vitit 1922, këshilli i Vakëfit të teqesë Arabati në Tetovë, njoftonte Ministrinë për Fe në Beograd, se kolonistët malazez në fshatin Bërvenicë, rrethina e Tetovës, e kanë konfiskuar “tërë tokën në çifligun e teqesë Arabati” me sipërfaqe prej më shumë se 1.000 hektarë, e cila shtrihej në distriktin e këtij fshati dhe se pas kërcënimeve mirëmbajtësit e çifligut ishin detyruar të ikin.