Zëvendës kryeministri i parë dhe kandidat i koalicionit Vlen për komunën e Çairit, Izet Mexhiti vizitoi klubin e hendbollit për femra WHC Çair, një nga skuadrat më të suksesshme sportive në vend, që përfaqëson denjësisht komunën në gara vendore dhe ndërkombëtare.
Mexhiti u prit nga kryetarja e klubit, Semija Islami dhe trajneri Basri Latifi, të cilët udhëheqin një organizatë sportive që ka ndërtuar një histori suksesi dhe është bërë shembull për angazhim dhe profesionalizëm në sportin e femrave.
“Ky klub, nën udhëheqjen e kryetares Islami dhe me punën profesionale të trajnerit Latifi, ka ndërtuar një emër suksesi që e nderon komunën tonë. Përkushtimi i tyre është pasqyruar jo vetëm në rezultate, por edhe në organizimin e një Akademie ku mbi 120 fëmijë stërviten dhe rriten si sportiste të ardhshme”, u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes për sportin dhe rininë, duke paralajmëruar angazhim konkret për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe financiare për klubet dhe akademitë lokale.
“WHC Çair tregon se Çairi ka potencial, energji dhe rini që meriton mbështetje. Angazhimi ynë është i qartë: të krijojmë kushte më të mira për sportin, të investojmë në klubet dhe akademitë vendore dhe të forcojmë rolin e rinisë në jetën e komunës”, tha Mexhiti.
Maqedoni Mexhiti viziton klubin e hendbollit për femra “WHC Çair”