Mexhiti takoi të rinjtë që do të votojnë për herë të parë: Rinia është energjia e ndryshimit në Çair

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim të veçantë me të rinjtë që për herë të parë do të votojnë në zgjedhjet lokale të 19 tetor.

“Pata një takim shumë të veçantë me të rinjtë që për herë të parë do të votojnë në këto zgjedhje. Rini plot energji, plot ëndrra e ide për të ardhmen. Këta janë ata që do ta ndërtojnë të ardhmen e vendit, por është detyra jonë t’ua hapim rrugën”, theksoi Mexhiti.

Ai nënvizoi se prioritet i programit të tij është krijimi i mundësive për të rinjtë, nga arsimi modern e deri te mbështetja për inovacionin dhe aktivitetet sportive.

Në këtë drejtim, Mexhiti rikujtoi projektet konkrete që tashmë janë në proces, si ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nënë Tereza”, me kushte të denja për çdo student, në standardet e universiteteve evropiane.

“Po punojmë që rinia të ketë hapësirë për të studiuar, për të krijuar dhe për të zhvilluar idetë e saj. Po ndërtojmë kampusin modern të Universitetit “Nënë Tereza”, me kushte të denja për çdo student, që të rinjtë tanë të arsimohen dhe profesionalizohen në standardet e universiteteve evropiane. Do të mbështesim start-up-et e të rinjve, do të financojmë programe kulturore dhe inovative, ku rinia do të jetë aktore dhe jo spektatore. Po ndërtojmë salla sportive, pishina dhe hapësira për aktivitete rinore, sepse duam një brez të shëndetshëm, aktiv dhe të përfshirë”, shtoi ai.

Mexhiti theksoi gjithashtu mbështetjen për klubet sportive lokale, me synim që pasioni dhe talenti i të rinjve të kthehen në sukses e krenari.

Në fund të takimit, ai përsëriti mesazhin e tij:

“Kjo është rruga jonë: t’i japim rinisë vendin që meriton, sepse aty ku rinia ka mundësi, aty fillon zhvillimi, aty lind fitorja”.