Mexhiti: Shqiptarët janë bashkë për çështjen kombëtare!

Kreu i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, duke komentuar përplasjet e fundit VMRO DPMNE – BDI, për të cilët thotë se janë bajate dhe të vjetëruara, përmes një postimi në Facebook, i ka dërguar mesazhe kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, se askush nuk guxon të prek UÇK-në dhe se për çështjen shqiptare, Shqiptarët bëhen bashkë.

“Na vjen keq që me afrimin e zgjedhjeve, Vmro-Dpmne ju kthehet praktikave të vjetra të cilat menduam që i kanë harruar. Vmro-Dpmne po vazhdon polarizimin me BDI-në dhe kjo është lojë bajate, e vjetëruar. Shqiptarët janë bashkë kur vjen puna te çështja kombëtare” – shkruan Mexhiti në Facebook.

Por, ai nuk e la me kaq!

“UÇK është e SHENJTË për të gjithë ne dhe askush nuk guxon të prek aty” – thotë Mexhiti.

Reagimi I Mexhitit vjen në kohën e retorikës së ashpërsuar VMRO DPMNE – BDI, ku krerët e këtyre dy subjekteve politike kanë shkëmbyer mesazhe të forta, mes tjerash, duke implikuar edhe luftën e vitit 2001.

Njëkohësisht kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë një tubimi partiak propozoi Tribunal ndërkombëtar për luftën e vitit 2001./tvklan.mk