Mexhiti priti në takim Matteo Mecacci, Shef i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të OSBE/ODIHR

Shkup, 26 shtator – Kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot zhvilloi takim me z. Matteo Mecacci, Shefin e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të OSBE/ODIHR.

Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e vendit tonë dhe domosdoshmërinë që ato të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe të sigurt.

Mexhiti theksoi se siguria maksimale është një parakusht i domosdoshëm, por mbi të gjitha, thelbësore mbetet që qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin lirshëm dhe në mënyrë demokratike.

Ai nënvizoi se institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësinë e përbashkët për të garantuar një proces zgjedhor transparent, të drejtë dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të forcojmë besimin e qytetarëve në demokraci dhe të ndërtojmë një shtet të drejtë dhe ligjor”, u shpreh Mexhiti.