Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherësh edhe kryetar i Degës së kësaj partie në Çair, Izet Mexhiti, nuk e ka mirëpritur vendimin për caktimin e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, për koordinator të aktiviteteve të BDI-së në Çair, shkruan gazeta LAJM. Mexhiti ka thënë se është marrë pa u konsultuar organet e partisë dhe nxit përçarje, ndërsa për z.Osmani ka thënë se nuk ka përkrahje te strukturat e BDI-së në Çair.
“Nuk mund të zëvendësohet kryetari degës në këtë mënyrë, sepse është shumë me rëndësi që duhet të përkon edhe me vullnetin e qytetarëve, strukturës, mbështetës që ka në terren, sidomos z.Osmani, i cili fillimisht nuk ka lënë resor si ekspert i shumë fushave, ekspert edhe i integrimeve, ekspert edhe i punëve të jashtme, edhe i shëndetësisë, edhe zëdhënës, në këtë rast edhe i ngarkuar me një situatë që e tërë partia duhet të involvohet për të kontribuar se si të vijmë të ndryshimet kushtetuese, se si t’i përmirësojmë raportet me Bullgarinë dhe në këtë situatë t’i lënë krejt këto dhe të vjen të merret me strukturën e cila nuk e ka për qejfi, sepse struktura këta funksionarë brenda këtyre 3 viteve apo 5 viteve e ka të rëndë që t’i takoj diku në Çair, e ka të rëndë qasjen deri te ato. Është një tentim i dështuar brenda BDI-së. Edhe njëherë dua të thërras për reflektim, për thirrje të ndërgjegjes dhe kthimit të debatit në organet partiake, me argumente konkrete, për të dalur nga kjo situatë e krijuar”, tha Mexhiti./Gazeta LAJM




