Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, përmes një njoftimi ka theksuar se Çairi i Vjetër është themeli i Shkupit dhe burim i fuqisë së shqiptarëve.
“Çairi i Vjetër është gurthemeli i Shkupit. Prej këtu janë nisur tregtarët, dijetarët dhe familjet që prej kohësh e kanë mbajtur gjallë këtë qytet. Në qendër të lagjes ngrihet krenare Xhamia e Çairit. Me qetësinë që karakterizon, ajo është e pathyeshme. Pikë referuese për jetën dhe besimin e njerëzve, duke nxitur përherë shpresë e forcë, e cila na mban bashkë,” ka theksuar Mexhiti.
Ai ka treguar se edhe takimi i fundit u zhvillua në oborrin e xhamisë, ku atmosfera e bashkimit u ndje fuqishëm.
“Edhe sonte, oborri i saj u mbush me njerëz. Xhamia e Çairit u bë vendtakimi ynë, ndërsa bisedat ishin të hapura, duart u shtrënguan me besim dhe fjalët e përzgjedhura tregonin mbështetje të fortë nga banorët. Atmosfera simbolizonte unitet dhe vendosmëri për të ecur përpara, duke treguar se Çairi di të qëndrojë i bashkuar kur është më e nevojshme,” tha ai.
Mexhiti theksoi se mënyra e tij e qeverisjes është gjithmonë pranë qytetarëve.
“Kjo është arsyeja pse unë jam gjithmonë me njerëzit, aty ku nis qeverisja e vërtetë. Jo nga larg, por pranë tyre. Jo me fjalë të thata, por me vepra të prekshme. Të dëgjosh hallet, të ndash gëzimet, të shohësh realitetin nga afër, kjo është mënyra ime se si qeveris. Çairi meriton pikërisht këtë qasje, sepse nga kjo lagje buron fuqia e shqiptarëve,” u shpreh ai.
Në fund, kandidati i VLEN-it për Çairin paralajmëroi fundin e premtimeve të kota:
“Edhe ky takim e bëri të qartë: Çairi nuk do të mbetet më i harruar. Koha e fjalëve boshe ka përfunduar. Me këtë frymë dhe me këtë besim, Çairi do të ngrihet më lart. Dhe bashkë, me njerëzit, do ta bëjmë këtë realitet.”