Mexhiti, Kasami e Gashi takohen në Shkup

Në zyrat e Kuvendit të RMV-së, pasditen e sotme është realizuar një takim mes nismëtarit për formimin e lëvizjes së re politike, Izet Mexhitit, kryetarit të Lëvizjes Besa Bilall Kasami dhe atij të “Alternativës”, Afrim Gashi.

“Sot, kemi realizuar një takim të përbashkët dhe tepër konstruktiv me Izetin Mexhitin, që vepron në kuadër të lëvizjes së re dhe me liderin e Alternativës, Afrim Gashi. Kemi diskutuar mbi idenë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit rreth krijimit të frontit të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare. Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive kemi diskutuar mbi hapat e ardhshëm për një bashkëpunim frytdhënës në skenën politike shqiptare. Detajet tjera mbi këtë bashkëpunim do të shpalohen në ditët në vijim”, ka shkruar Bilall Kasami në Facebook.

“Të nderuar qytetarë, bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë,

Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, do të angazhohemi fuqishëm për të unifikuar zërin opozitar në vend.

Në këtë drejtim ishte edhe takimi i sotshëm me z. Kasamin dhe z. Gashin në Kuvendin e RMV-së, ku diskutuam rreth parimeve të bashkëpunimit tonë.

Rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon!

Na priftë e mbara!”, ka shkruar pas takimit Izet Mexhiti, në Facebook.