Mexhiti ka një mesazh për Zaevin, Mickoskin dhe të tjerët

Izet Mexhiti

Të nderuar kolegë,

Sot ne po debatojmë për Ligjin me të cilin do të shtyhet (prolongohet) procesi i regjistrimit të popullsisë për disa muaj, që sipas sqarimit zyrtar nga propozim ligji, bëhet për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga rreziku i përhapjes së virusit Covid 19.

Lidhur me këtë pjesë formale të arsyetimit nuk kam dilemë dhe fare nuk do të debatoja, gjithmonë nëse ky do të ishte qëndrimi profesional i ekspertëve të fushës së mjeksisë dhe epidemiologjisë, respektivisht nëse ky arsyetim vjen nga ekspertiza e mjekëve dhe epidemiologëve që është bazuar në fakte shkencore.

Ajo që sot dua të debatoj është pse, për tema të fushës së mjeksisë vendos politika? Pse dy liderë duhet të ulen, të flasin dhe marrin vendim për një temë nga fusha e mjeksisë, debat dhe konkluzë që duhet ta bëjnë pikërisht ekspertët e fushës?

Këtu fillon e gjithë hutia që shkaktohet në opinionin ë gjërë. Opinioni ka shumë dilema dhe ato po i transmetoj dhe paraqes këtu para jush, duke analizuar edhe disa fakte tjera të cilat janë të dukshme.

E para, procesi i regjistrimit, për herë të parë në RMV, po i ndan qytetarët në rezident dhe jorezident. A e shikoni që ky definim po hap shumë dilema dhe interpretime individuale? A e shikoni që ky definim po u jep argumente politikanëve të ndryshëm që të kalkulojnë me terminologji ofenduese për diasporën tonë të çmuar? Nëse në këtë proces, VMRO thotë se ato jane vetëm të “evidentuar”, të jeni të bindur se këtë qëndrim do ta mbajnë gjithmonë. Prandaj po ju them, bashkëvendasit tanë NUK MUND TË EVIDENTOHEN , ATA REGJISTROHEN! Për shkak se janë vëllezërit dhe motrat tona që kanë kontribuar për këtë vend madje edhe më shumë së vet ne këtu! Prandaj haroni EVIDENTIMIN! Atë mund të bëni me anëtarësinë e juaj partiake, dhe jo me vëllezërit dhe motrat tona.

E dyta, ne krijuam një motivim të lartë tek diaspora për regjistrimin e saj. Vallë a e pyetni veten dhe a nuk ju duket aspak indikative, pse pala maqedonase nuk tentoi aspak ta bën këtë? Nuk lëvizën as me gisht. Ne e kemi parë nga e kaluara se kur ata kanë interes, dijnë të mobilizohen shumë më tepër, sepse në fund të fundit i kanë të gjitha mekanizmat.

E treta, a nuk janë aspak indikative për ju qëndrimet për regjistrimin në pjesën veri-perëndimore të RMV? Kjo është një uvertirë për mospranimin e rezultatit real në këtë pjesë nga ana e subjeketeve politike maqedonase?! Po atehërë parashtrohet pyetja: çfare mekanizmi të kontrollit kemi ne për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë lindore dhe zonat ku nuk banojnë shqiptar?

Dhe për fund, ujdia mes 2 liderëve maqedonas për shtyerje të regjistrimit, në mënyrë vetanake, po i dëshmon këto dilema dhe vërteton se ekziston një qendër koordinimi kur bëhet fjalë për interesat e tyre nacionale.