Mexhiti inspekton rikonstruksionin e rrugës “5 Maji” në Serovë: Gati edhe projekti për parking në kate në këtë pjesë të Çairit

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, njëherë edhe kandidat i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, sot inspektoi punimet në rikonstruksionin e plotë të rrugës “5 Maji” në Serovë të Shkupit. Mexhiti tha se pas përfundimit të këtij projekti në këtë zonë të komunës, do të nisin punën për ndërtimin e garazhit në kate.

“Sot, në rrugën “5 Maji” në Serovë, po realizohet rikonstruksioni i plotë i rrugës, projekt i financuar nga Qeveria me vlerë 5 milionë denarë. Ky është vetëm një nga investimet që po çojnë drejt zhvillimit të kësaj zone, e cila po shndërrohet në një qendër banesoro-biznesore. Por ne nuk ndalemi këtu. Sepse paralelisht kemi gati projektin për një parking modern në kate, që do ta zgjidhë përfundimisht problemin e parkimit në këtë pjesë të ngarkuar të Çairit. Ky është vizioni ynë: zhvillim urban, modernizim dhe kushte dinjitoze për qytetarët. Ndryshe nga ata që për vite me radhë e lanë Çairin të bllokuar dhe të izoluar, ne po e kthejmë çdo lagje në histori suksesi. Ata vetëm premtonin, mashtronin dhe zhgënjenin, ndërsa ne po ndërtojmë, po investojmë dhe po fitojmë çdo ditë”, ka shkruar mes tjerash Mexhiti.