Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, ka deklaruar se propozimin për shkarkimin e zëvendësdrejtorit të Doganave, Irfan Buçi, e ka bërë zëvendëskryeministri Artan Grubi pa konsulta brenda partisë, shkruan gazeta LAJM.
“Nuk e di arsyen pse e ka propozuar shkarkimin e tij në rend dite të Qeverisë dhe më pas e ka tërhequr nga rendi i ditës. As për njërën dhe as për tjetrën nuk është konsultuar me organet partiake, që edhe ashtu nuk funksionojnë. D.m.th, zv.kryeministri Artan Grubi vendimin e ka marrë kokë më vete”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, në një prononcim për gazetën LAJM.
Mexhiti, tha se për këtë çështje do të kërkojë që të hapet debat brenda partisë.
“Do duhet të hapim debat brenda partisë, jo vetëm këtë po për gjithë funksionimin e partisë, për të gjitha temat, pse nuk ka demokraci të brendshme”, u shpreh Mexhiti për gazetën LAJM.
Ndërkohë, bashkëpartiaku i Izet Mexhitit, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i pyetur se pse shkarkimi i zëvendësdrejtorit të Doganave, Irfan Buçit ishte në rend dite dje në seancë qeveritare, dhe u tërhoq prapa, tha se kjo ka ardhur pasi Buçi ka njoftuar dorëheqjen e tij për shkaqe personale dhe familjare. “Irfan Buçi ka njoftuar një anëtar të Qeverisë, se jep dorëheqje për shkaqe personale dhe familjare dhe për këtë arsye pika për shkarkimin e tij ka qenë në rend dite dje në Qeveri. Por, kjo çështje do të diskutohet në mbledhjet vijuese”, tha Bekteshi.