Mexhiti: Është qesharake që BDI akuzon VLEN për “Botën Serbe”, kur vetë kanë takuar Vuçiçin, kanë qenë promotorë të Open Ballkanit dhe gjatë mandatit të tyre kanë nisur procedurat për bankën serbe

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në pyetjen e gazetarëve në lidhje me akuzat e BDI-së se koalicioni VLEN po mbështet idenë e “Botës Serbe”, deklaroi se një gjë e tillë është e pakuptimtë, duke kujtuar marrëdhëniet e afërta që vetë BDI ka kultivuar me Beogradin.

“Është qesharake BDI-ja e cila me shumë ngazëllim, të gëzuar, të lumtur u fotografuan me Vuçiçin, me Daçiçin, me Vulinin. Nuk ka pasur vit ku ata nuk kanë pasur takime zyrtare, e me siguri edhe jozyrtare. I kemi parë duke e pritur në ‘Shën Naum’ z. Vuçiq, edhe pse z. Ahmeti nuk kishte asnjë funksion shtetëror, e ndërkohë fliste për pajtim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, madje edhe për ndërrim territoresh,” tha Mexhiti.

Ai kujtoi se BDI ishte një nga promotorët kryesorë të iniciativës “Open Balkan”, duke e konsideruar atë si projekt për ta defaktorizuar Kosovën dhe për ta forcuar pozitën e Vuçiçit dhe të ashtuquajturës “Botë Serbe”.

“BDI është pionier i Open Ballkanit”, këtë e ka thënë publikisht edhe z. Rama. Pjesë e Open Ballkanit ishin Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia, por jo Kosova. Pra, mbështetësit kryesorë të këtij projekti kanë qenë pikërisht ata. Prandaj është qesharake të dëgjojmë sot akuza prej tyre,” theksoi ai.

Në lidhje me akuzat për procedurat e hapjes së bankës serbe në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti theksoi se ato kanë nisur që në qeverisjen e BDI-së.

“Nëse e kanë për punën e bankës, procedura ka filluar pikërisht në vitin 2021, në qeverisjen e tyre,” tha Mexhiti.