Kryetari i Cairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se kanë promovuar fushën ndihmëse në stadiumin e FC Shkupi, një investim i realizuar tërësisht nga buxheti i Komunës së Çairit, që sjell kushte moderne për stërvitje dhe zhvillimin e futbollit.
“Në një sipërfaqe prej rreth 3500 m² është ndërtuar një fushë me bar artificial sipas standardeve bashkëkohore, e pajisur me sistem drenazhi dhe ndriçim të plotë, që mundëson përdorimin e saj gjatë gjithë vitit.
Ky investim hap më shumë mundësi për të rinjtë, krijon kushte serioze për zhvillimin e sportit dhe forcon traditën futbollistike të këtij qyteti.
Për këtë investim kaq të vlefshëm, dua të falenderoj ish-kryetarin e Çairit, z. Visar Ganiu, dhe Presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, z. Masar Omeragic, të cilët vunë bazat e këtij projekti.
Vazhdojmë me punë e investime, me projekte që mbështesin talentin dhe i japin sportit hapësirën që meriton”, ka shkruar Mexhiti.



