Mexhiti: Dy laboratorë të akredituar bëjnë matje në Trubarevë, do të kontrollohet edhe toka dhe do të bëhet ekspertizë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot në një konferencë për media tha se kompania ku shpërtheu zjarri në Trubarevë kishte leje të vlefshme për riciklimin e mbeturinave, që ishte dhënë nga qeveria e kaluar në vitin 2021, e që vlen deri në vitin 2031, përcjell TV21. Mexhiti tha se po matet në mënyrë profesionale ndotjet e ajrit, ndërsa gjithashtu do të merren edhe mostra nga toka për të përcaktuar nëse ka ndotje dhe sa është niveli i saj.

“Zjarri që shpërtheu dje në objektin për riciklim të baterive dhe mbeturinave elektronike në fshatin Trubarev është plotësisht i shuar dhe i lokalizuar. Objekti në Trubarev posedon leje valide për menaxhimin e mbeturinave, e lëshuar nga Ministria në vitin 2021 me vlefshmëri deri në vitin 2031. Për transparencë të plotë menjëherë u angazhuan laboratorë të akredituar për matjen e cilësisë së ajrit si nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis, ashtu edhe nga trupat e jashtme të specializuara. Inspektorati Shtetëror për Mjedis sapo mori informacionin për zjarrin në orën 13:30 u drejtua në vendin e ngjarjes, ku zjarri kishte shpërthyer në objektin që përdoret nga subjekti juridik F-Group në Trubarevë. Gjatë mbikëqyrjes janë kryer matje nga Laboratori i Akredituar për Mjedis “Euromak Kontroll” nga Shkupi dhe është vendosur matës 24 orësh për cilësinë e ajrit ambiental. Pastaj u bën matja edhe nga Laboratori për Mjedis i Ministrisë së Mjedisit, ndërsa në teren ishte dhe Njësia Speciale e ARM-së për Ndotje Radiobiologjike dhe Kimike, e cila gjithashtu realizoi matje. Gjatë ditës së sotme, laboratori tjetër i akredituar për mjedis, “Ambikon” pranë Universitetit në Shtip, do të kryejë matje shtesë për pesë ditët e ardhshme me vendosje të instrumentit të veçantë stacionar. Është filluar edhe kontrolli administrativ inspektues ndaj subjektit juridik, nga i cili do të merren të gjitha dokumentet e nevojshme pas përfundimit të procedurës inspektuese, të gjitha organet kompetente dhe opinioni do të informohen. Pas përfundimit të kontrollit do të ndërmerren masa shtesë. Marrje mostrash të tokës si dhe do të porositet ekspertizë për të përcaktuar saktësisht shkallën e ndotjes se mjedisit jetësor”, tha Mexhiti.