Kandidatura e Izet Mexhitit për kryetar të Komunës së Çairit tashmë është zyrtare.
Sot ai, së bashku me partnerët e koalicionit Vlen, dorëzoi kandidaturën e tij si dhe listën e këshilltarëve, ku bartës është Muhamed Murtezi.
Në fjalën e tij para mbështetësve, Mexhiti theksoi se fushata e deritanishme ka qenë e shkëlqyeshme dhe se nga sot nis një etapë e re, zyrtare.
Ai u zotua për një fushatë pozitive, të fokusuar në promovimin e punëve të kryera gjatë një viti e gjysmë dhe në shpalosjen e projekteve që janë duke u realizuar.
“Çairi sot është një kantier ndërtimi. Po punohet në çdo lagje dhe në ditët që vijnë intensiteti do të rritet edhe më shumë. Kërkoj mirëkuptim nga qytetarët, sepse çdo projekt bëhet për ta dhe për të ardhmen e komunës sonë,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se vizioni i tij është të vazhdojë transformimin e Çairit, duke e kthyer në një komunë moderne, me infrastrukturë të zhvilluar dhe shërbime cilësore për të gjithë qytetarët.