Nga qeveria njoftojnë se kryeministri Hristijan Mickoski ka realizuar takim me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, përcjell TV21. Sipas njoftimit të qeverisë, në takim është biseduar edhe për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
“Kryeministri Hristijan Mickoski sot mbajti një takim pune me bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilal Kasamin dhe Izet Mexhitin, ku u diskutua çështja e përdorimit të gjuhëve në provimin e jurisprudencës. U theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që sjellin përparim, besim të ndërsjellë dhe ecje të përbashkët drejt së ardhmes. Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dijet përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thonë nga qeveria.



