Mexhiti: Çairi do të ketë kontejnerë nëntokësorë të mbeturinave! Osmani prezantoi “Syrin e Qytetarit”

Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se tashmë kanë nisur punën për vendosjen e kontejnerit të gjashtë nëntokësorë në Çair, përcjell TV21. Mexhiti tha se plani është që i gjithë Çairi të ketë kontejnerë nëntokësorë, ndërsa kjo do të realizohet me buxhet prej 120,000 denarëve, në afat prej 36 muajve.

“Angazhohemi për zëvendësimin e plotë të kontejnerëve ekzistues të mbeturinave me një sistem bashkëkohor të kontejnerëve nëntokësore. Për këtë projekt kapital sigurojmë një buxhet prej 120 milionë denarësh, me afat zbatimi prej 36 muajsh. Çfarë fitojmë me këtë? Një mjedis të pastër dhe estetikisht të bukur. Kontejnerët nëntokësore eliminojnë ndotjen vizuale dhe lirojnë hapësirën publike si trotuaret dhe vend parkimet. Fund i erërave të pakëndshme. Sistemi është hermetikisht i mbyllur dhe prandaj parandalon përfundimisht përhapjen e erërave të këqija, sidomos gjatë muajve të verës. Kapacitetet dhe efikasitet më të madh. Një kontejner nëntokësor zëvendëson pesë deri në gjashtë kontejnerë standard, që do thotë operacion më efikase, operacionet e zbrazjes. Parandalim të shpërndarjes së mbeturinave. Pamundësohet qasja e kafshëve dhe personave të paautorizuar te mbeturinat, duke i dhënë fund pamjeve të shëmtuara përreth kontejnerëve. Ky nuk është një projekt për të ardhmen të largët. Zbatimi do të fillojë menjëherë me faza, duke nisur nga pikat më kritike të komunës. Për momentin ka pesë pika ku ka kontejnerë nëntokësorë dhe të gjashtën fillojmë këto ditë te “Metodja Mitevski” në Fushë Tophanë. Do të nisim të vendosim nivelin më të lartë të bashkëpunimit me qytetin dhe ndërmarrjen publike Higjiena Komunale. Eko ekipe mobile, do të vendosin ekipe mobile për ndërhyrje të shpejtë, do të reagojnë menjëherë ndaj raportimeve të qytetarëve për deponi ilegale”, tha mes tjerash Mexhiti.

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga AKI, Bujar Osmani paralajmëroi një kthesë radikale në menaxhimin e komunës, me qëllim të qartë për çrrënjosjen përfundimtare të korrupsionit, përcjell TV21. Në prezantimin e tij, ai prezantoi programin “Syri i Qytetarit”, një set prej katër reformash Anti-korrupsion.

 

“Dhe ky është një set  prej katër reformash që e përbëjnë Syrin e Qytetarit. E para, hapja publike e gjithë tenderëve. Çdo fazë e tenderimit, prokurimeve publike, do jetë publike, me transmetim të drejtpërdrejtë dhe me incizim  të qasshëm në internet. E dyta, monitorimi i pavarur. Për herë të parë, i gjithë procesi i përzgjedhjes së ofertuesit më të favorshëm do të jetë nën mbikëqyrjen  e ekspertëve dhe organizatave joqeveritare të specializuara për anti-korrupsion. E treta, arka publike. Me një klikim, çdo qytetar do mund të ndjekë të hyrat dhe shpenzimet e komunës në kohë reale. Dhe e katërta, kontrolli me inteligjencë artificiale. Do të fusim automatizimin e kontrollit përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Në këtë mënyrë do ta eliminojmë faktorin njeri atje ku më së shpeshtë ndodh korrupsioni. Sistemi do të japë alarm nëse ndonjë procedurë nuk është sipas ligji. Sistemi do t’i verifikojë aplikacionet, dokumentet dhe nëse kushtet janë përmbushur. Çairi do jetë një ndër komunat e para në rajon me këtë praktikë moderne evropiane”, tha Osmani.