Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar se një nga prioritetet kryesore gjatë vitit të parë të mandatit të tij do të jetë shndërrimi i rrugës “Mid’hat Frashëri” (ish “Brigada Maqedono-Kosovare”) në një bulevard modern dhe bashkëkohor.
“Pas ndërtimit të bulevardit ‘Cvetan Dimov’, prioriteti ynë do të jetë transformimi i rrugës ‘Mid’hat Frashëri’ në një bulevard me gjatësi 1.850 metra dhe profil 25 metra, në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Shkupit,” deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, bulevardi i ri do të ketë katër korsi, shtigje të veçanta për biçikleta e këmbësorë, si dhe gjelbërim ndërmjet korsive. Ai theksoi se ky projekt do të sjellë më shumë siguri, funksionalitet dhe estetikë për banorët, duke ulur vonesat dhe duke rritur efikasitetin e transportit urban.
“Bulevardi ‘Mid’hat Frashëri’ do të lidhet drejtpërdrejt me rrugën ‘Xhon Kenedi’, duke lehtësuar qasjen e studentëve drejt universiteteve dhe duke forcuar lidhjen mes Çairit, Shuto Orizarës dhe Qendrës së Shkupit,” shtoi kandidati i VLEN-it.
Ai njoftoi gjithashtu se në fazën pasuese parashikohet shndërrimi i rrugës ‘Xhon Kenedi’ në bulevard, duke krijuar kështu “një qark të ri urban, funksional dhe bashkëkohor për të gjithë qytetarët e Shkupit”.