Mexhiti: Bujar Osmani dhe BDI po e mbajnë peng Shkupin përmes ndërmarrjeve publike! Këta njerëz nuk mund t’i ofrojnë ardhmëri Çairit!

Në debatin e parë në mes kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, në emisionin Top Tema në Televizionin Tellma, kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka lëshuar kritika ndaj menaxhimit të ndërmarrjeve publike në Shkup nga kuadrot e BDI-së.

“Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” ka drejtor nga partia e Bujar Osmanit, “Parqe dhe Gjelbërime” gjithashtu drejtohet nga BDI, e po ashtu edhe “Drislla”. Mund të paramendoni çfarë bëjnë këta me qytetin e Shkupit dhe çfarë ardhmërie do t’i ofronin Çairit?”, theksoi Mexhiti, duke akuzuar drejtpërdrejt Osmanin dhe partinë e tij për kapje totale të institucioneve.

Mexhiti shtoi se ndarja e ndërmarrjeve publike nuk është zgjidhje dhe se qyteti i Shkupit duhet të udhëhiqet nga një kryetar që i njeh mirë kompetencat dhe problemet reale të qytetit. “Është e nevojshme të zgjedhim një kryetar të mirëfilltë të qytetit të Shkupit, njeri që i njeh mirë gjërat dhe jo si kryetarja e tyre, Danella Arsovska, e aq më pak njerëz që nuk i din kompetencat e tyre,” deklaroi Mexhiti.