Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti në intervistën për A2CNN me Pandi Gjatën e ka cilësuar faktorizim të votës shqiptare, bashkimin e VLEN-it në një parti të vetme.
Me këtë tha ai, synohet dhënia fund e përçarjes politike mes shqiptarëve.
“Shqiptarët në 30 vite ose janë ballafaquar me monopol politik ose me shpërndarje në shumë parti të vogla e fraksione të ndryshme duke defaktorizuar votën. Kemi bashkuar opozitën shqiptare dhe tashmë është pozitë shqiptare. Ashtu siç janë të organizuar edhe shumica maqedone në dy partitë VMRO-DPMNE dhe LSDM, edhe shqiptarët janë të fokusuar dhe të organizuar jo në monopol politik jo të përçarë në shumë parti politike, por në dy parti pra në VLEN dhe BDI”, ka thënë Mexhiti.
Për herë të parë në pluralizmin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, VLEN do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë dhe sipas Mexhitit, modeli është frymëzuar nga demokracitë skandinave dhe synon largimin nga modeli i liderit të vetëm.
“Sjellim një standard të ri në politikën shqiptare, me bashkëkryetarë model që nuk e kemi shpik ne por e kemi marrë nga shtetet skandinave. Është një balancë dhe ndarje e përgjegjësive. Është një vlerë demokratike e re”, ka nënvizuar Mexhiti.



