Mexhiti: 25 milionë euro për parkingun nëntokësor në sheshin Skenderbeu, Çair

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti në një postim ka theksuar edhe një herë se Çairi mbetet prioriteti i tij kryesor, duke sjellë prova konkrete të angazhimit të tij gjatë kohës në qeveri.

Mexhiti ka bërë të ditur se janë siguruar 25 milionë euro investime për Çairin, të cilat tashmë janë duke u realizuar me ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” dhe parkingut modern nëntokësor me mbi 400 vende.

Sipas tij, ky projekt madhor i jep zgjidhje një prej problemeve më të mëdha të Çairit dhe Çarshisë – mungesën e hapësirave për parkim.

“Nuk po flasim për projekte në letër, por për investime që po bëhen realitet. Çairi po fiton infrastrukturën që i takon, hapësira moderne dhe zhvillim urban që i ndryshon jetën përditshmërisht qytetarëve,” – tha Mexhiti.

Ai theksoi se ky është vetëm fillimi i një transformimi të madh që do ta vendosë Çairin në qendër të zhvillimit të Shkupit dhe më gjerë.

“Vetëm për ty, Çairi im!” – përfundon postimin e tij Izet Mexhiti.