Paralajmërimet se në janar Komisioni Evropian do ta prezantojë metodologjinë e re të zgjerimit dhe se në mars Maqedonisë së Veriut do t’i mundësohet të fillojë negociatat për anëtarësim rikthen optimizmin e ekspertëve. Zoran Neçev nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” thotë se deri në mars ka mjaftueshëm kohë që të tejkalohen dallimet mes shteteve anëtare, nëse ka vullnet të vërtetë politik. Neçev thekson se ndërkohë që Shkupi pret sinjalin pozitiv nga Brukseli do të duhet të vazhdojë në mënyrë më intensive të punojë për realizimin e reformave, me theks të veçantë ato në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.
Nëse arrijnë të merren vesh për metodologjinë, do të hiqet një parakusht në të cilën Maqedonia e Veriut nuk mund assesi të ndikojë. Është punë e brendshme e BE-së. Ndërsa ajo ku Maqedonia mund të ndikojë, është të vazhdojë në rrugën që ka shtruar, të vazhdojë t’i zbatojë të gjitha reformat prioritare që u theksuan në raportet e fundit të Komisionit Evropian ose përfundimet e Këshillit Evropian, në mënyrë që sërish të kemi dosje të pastër”-tha Zoran Neçev, Instituti për demokraci “Societas Civilis”.
Profesori universitar, Nikolla Dujovski nga ana tjetër thotë se pavarësisht se vendi ka akoma shumë punë për të bërë, ka bërë progres që duhet të merret në konsideratë. Ai paralajmëron se nëse BE-ja nuk reflekton pozitivisht para zgjedhjeve të prillit, në rast të ndërrimit të pushtetit pas 12 prillit vendi rrezikon të zmbrapset në aspekt të euro-integrimit.
Shumë lehtë mund të ndodhë që të kemi zgjedhje të suksesshme në prill, por të kemi zmbrapsje në rrugën drejt integrimeve evropiane. Është vështirë të vlerësojmë nëse kjo iu shkon përshtat ndonjë prej fuqive të mëdha, megjithatë kjo politikë joreale e një shteti anëtar nuk shpie askund tjetër, pos asaj se duan që Ballkanin ta mbajnë si vend ku do të përballen fuqitë mes Rusisë dhe Amerikës. Ndërsa Evropa, fatkeqësisht, shumë herë ka qenë viktimë e panevojshme në këtë raport”-pohoi Nikolla Dujovski, Profesor universitar.
Së fundmi komisioneri evropian për zgjerim, Oliver Varhei porositi vendin që t’i realizojë të gjitha reformat e nevojshme, në mënyrë që ta meritojë fillimin e negociatave për anëtarësim./Alsat