Meta për ngjarjen në Velipojë: Plazhet dhe qendrat e qyteteve nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo është një ngjarje tronditëse që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.

“Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikëqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale”.

“Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj”.

Meta ka deklaruar se plazhet dhe qendrat e qyteteve të Shqipërisë nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”, transmeton Klankosova.tv.

“Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë. Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve”, ka thënë Meta.