Messi s’ka qenë kurrë më keq sesa me Setienin trajner

Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, e kaloi një tjetër ndeshje pa shënuar të shtunën, kur Barcelona humbi pikë shkaku i barazimit 2:2 kundër Celta Vigos, duke e lejuar Real Madridin ta lërë prapa për dy pikë.

Një numër i tifozëve janë shprehur të shqetësuar për kapitenin e Barcelonës, i cili s’po e ka të lehtë të shënojë tani që i është afruar golit të 800-të në karrierë.

Ndeshja në Balaidos ishte e treta radhazi në të cilën Messi nuk arriti të shënojë gol, duke bërë kështu që ai të mos ketë shënuar në dhjetë nga 16 ndeshjet e Barcelonës me Quique Setienin në postin e trajnerit.

Edhe kur Tata Martino kishte qenë në karrigen e trajnerit në Camp Nou, Messi kishte arritur t’i shënojë 41 gola në atë që kishte qenë sezoni i tij më i dobët, 2013/14. Mirëpo, statistikat e atij sezoni i ka më të mira sesa të këtij sezoni, kur i ka shënuar 26 gola deri më tani.

Rekordi më i keq i Messit në dekadën e fundit

Messi nuk ka rënë asnjëherë nën shifrën prej 40 golave të shënuara në sezon në dhjetë vjetet ë fundit.

Madje, tani edhe 38 golat e tij në sezonin e parë të Pep Guardiolas duken të paarritshme pasi që kanë mbetur vetëm edhe shtatë ndeshje të La Ligës, si dhe të paktën edhe një në Ligën e Kampionëve.