Dalja në pension e mësuesve mbetet një temë shumë e ndjeshme. Profesioni kërkon përkushtim dhe energji të madhe dhe për shumë mësimdhënës mosha e tanishme e pensionimit, 62 vjeç për gratë dhe 64 për burrat duket se janë tepër të gjata për të ruajtur cilësinë në klasë. Mësimdhënësit që folën për këtë temë thanë se përballen çdo ditë me sfida të shumta, klasa të mbingarkuara, reforma dhe ndryshime programore të shpeshta, presion nga prindërit dhe nxënësit, dhe nevojën për të përshtatur mësimin me kërkesat e gjeneratave të reja. Sipas mësimdhënësve, kjo ngarkesë fizike dhe emocionale i bën shumë prej tyre të mendojnë për pension më të hershëm.
“Çdo katër vite kemi reforma, koncepte, jemi shumë të angazhuar…Është një ngarkesë shumë e madhe për arsimin, ndoshta nuk është orari shumë I zgjatur por në përgjithësi me gjeneratat që vijnë është shumë një ngarkesë e madhe sepse nuk janë më ato fëmijë që kanë qenë para 20 viteve e kështu me radhë. Do të kishte qenë mirë që arsimi të jetë me moshë pensioni deri në 60 vjeçare ose edhe më herët sepse edhe fizikisht edhe psikikisht arsimi është shumë i ngarkuar me këto reforma. Nga përvoja ime gati tre dekada në arsim kanë pas nxënësit më shumë respekt ndaj mësimdhënësve…Më shumë interesohen për gjëra jo lidhur me mësimin, nuk janë të fokusuar, të koncentruar në mësim, më shumë merren me gjëra të kota, “ai kështu po bën, ky ashtu, nuk po përcjell, nuk shkruan, nuk bën detyra”, shumë janë hiperaktiv kjo gjeneratë”, tha Hamdije Sinani, mësuese.
Ngjashëm mendojnë edhe mësimdhënësit e rinj në moshë dhe në profesion pavarësisht dëshirës dhe përkushtimit për këtë profesion.
“Fëmijët kërkojnë jashtë materialeve mësimore shkaku që u interesojnë gjërat, ta zhvillojnë trurin edhe më shumë. Unë jam e gatshme gjithmonë t’ua jap mendimin dhe ta shpreh atë kënaqësinë për atë se çfarë kërkojnë. Përveç koncepteve që janë dhënë mund të marrim edhe informata shtesë nga dikush, nga burime të ndryshme. E keni këtë liri si mësues? Po, patjetër dhe unë ndjehem shumë krenare me qenë mësimdhënëse. Çdo vit I ardhshëm ka kërkesa më të reja edhe nuk e di sa do ja dalim me ato kërkesa, sa do të jemi të gatshëm, mendoj se deri në moshën 50 vjeçare do ishte më e mjaftueshme”, u shpreh Emine Nebi, mësuese.
Refik Saliu, drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri” Haraçinë tha se do të ishte shumë e përshtatshme që mësuesit me përvojë, përpara se të dalin në pension, të mund të vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë më të lehtë si asistentë në klasë, në bibliotekë ose në aktivitete që mbështesin nxënësit, pa barrën e mësimdhënies së drejtpërdrejtë në çdo orë. Kjo u mundëson atyre të ruajnë përvojën e çmuar dhe energjinë, duke ndihmuar procesin edukativ pa lodhje të tepërt.
“Mosha mbi 60 vjet, unë mendoj që është pak sa problematike që një person, një arsimtar me përvojë të gjatë ta vazhdoj më tutje. Pjesa tjetër e pyetjes ishte a mund të sistemohet në vend tjetër? Eventualisht po, varet prej shkollës, numrit të nxënësve, numrit të lokaleve dhe veprimtarive të ndryshme. Përshembull, mund të angazhohet si asistent në ndonjë klasë, mund të angazhohet në bibliotekë, mund të angazhohet në ndonjë veprimtari tjetër dytësore ose tretësore e cila pak sa e ndihmon procesin edukativo arsimor por në shkollat tona këto veprimtari janë pak sa të kufizuara”, tha Refik Saliu, drejtor I sh.f “Abdyl Frashëri”, Haraçinë./Alsat.mk






