Mësimdhënësit kërkojnë mbrojtje nga nxënësit

Grevë dy orëshe në shenjë proteste ndaj sjelljeve të disa nxënësve ka mbajtur stafi i shkollës “Pavarësia” në Prishtinë, një ditë pasi Policia e arrestoi një mësimdhënës të kësaj shkolle për dhunë ndaj një nxënësi.

Sipas kolektivit të mësimdhënësve, në videon e publikuar është vetëm pjesa e fundit e ngjarjes dhe se ajo nuk e reflekton realitetin.

Përfaqësuesi nga shoqata sindikale e shkollës, Ardit Ukaj tha se dhuna nuk ka vend në shkolla e ku ka kërkuar mbrojtje për mësimdhënësit.

“Dua të theksojmë qartë se ne si shoqatë sindikale jemi kundër çdo lloj të dhunës, qoftë fizike apo verbale. Nuk ka vend në shkollë, dhe nuk mund të arsyetohet nga askush. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën dhe as për të mbrojtur atë. Përkundrazi është një reagim kundër dhunës që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor. Qëllimi ynë është të mbrojmë një ambient të sigurt dhe profesional ku mësimi zhvillohet normalisht dhe ku autoriteti i mësimdhënësit nuk vihet në pikëpyetje përmes fyerjeve, ofendimeve, sharjeve dhe nënçmimit. Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijojnë ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor. ky nuk është problem i izoluar vetëm në shkollën tonë, por fenomen që po shqetëson dhe shkollat e tjera. Prandaj, kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimit e rendit në institucione arsimore”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.

Ka shtuar se stafi nuk po kërkon ndërrimin e shkollës për nxënësin, por të merren masat e duhura nga personat kompetentë dhe rasti të trajtohet në mënyrë të duhur.

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar nga organet e drejtësisë shqyrtim urgjent të rastit. Ka kërkuar që të merren masa edhe ndaj prindërve që përdorin dhunë në shkollë dhe që mësimdhënësi të lirohet. Sipas tij, raste të tilla ndodhin në shumë shkolla.

“Ka ndodhë që përveç dhunës psiqike që po ushtrohen ndaj punëtorëve të arsimit, ndaj mësimdhënësve, nga ana e nxënësve, e shpesh edhe nga ana e prindërve, ka raste edhe kur janë sulmuar fizikisht, sikurse që kemi pa rastin e djeshëm. Na vjen shumë keq që ka ndodhë kjo zënkë, por, e keqja ma e madhe e kësaj është që ngjarja nuk është paraqitë në mënyrën e duhur krejt si është, po është marrë një pjesë nga fundi i ngjarjes pothuajse, edhe ajo është emituar në media”, ka thënë ai.

Pas protestës dhe grevës dyorëshe, mësimi në këtë shkollë do t’i kthehet normalitetit.

Përfaqësuesi i shkollës “Ismail Qemali”, Naim Bytyqi, ka thënë se kolektivi i kësaj shkolle ka vendosur ta mbështesë protestën në orën e parë mësimore, pas diskutimeve të brendshme mes stafit. Ai ka theksuar se mësimdhënësit i shohin prindërit si bashkëpunëtorë kryesorë dhe se situata të tilla nuk duhet të zgjidhen me përshkallëzim konfliktesh.

E njëri nga arsimtarët aty ka treguar se kolegu i tij është sulmuar në pauzë, e duke thënë se nxënësi ishte organizuar vet i 10-ti për ta sulmuar mësimdhënësin.