Mesazhi i Vitit të Ri, Xi Jinping-u uron paqe dhe qetësi për botën

Me rastin e Vitit të Ri 2024, presidenti i Kinës Xi Jinping përcolli një mesazh urimi, duke shprehur përkushtimin ndaj krijimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.

Në mesazhin e tij, presidenti Xi u hodhi një vështrim arritjeve dhe vështirësive në vitin 2023, duke uruar lumturi e mbarësi, si edhe paqe e qetësi në botë.
Sipas tij, pas ndryshimit të masave të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, në vitin që po lëmë pas ekonomia kineze vijoi të rigjallërohej e të shkojë drejt përmirësimit. Sistemi modern i industrializimit u përsos, me ngritjen e shpejtë të një sërë sektorësh shtyllë me nivel të lartë, zhvillim inteligjent dhe të gjelbër. Aftësia e risive dhe gjallëria e zhvillimit të Kinës u nxitën në mënyrë të vrullshme. “Pavarësisht luhatjeve, ekonomia kineze është fuqizuar më tej si nga pamja e jashtme, edhe për sa u përket bazave të saj”, tha kreu i shtetit i Kinës.

Ai përmendi edhe arritjet e Kinës në fusha të ndryshme, si bujqësia, teknologjia e sporti, duke vlerësuar dhe falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm të çdo banori të thjeshtë në rrugën e përparimit të vendit.

Xi Jinping-u vuri në dukje gjithashtu se Kina jo vetëm kërkon zhvillimin e vet, por edhe e përqafon aktivisht botën, duke marrë përsipër përgjegjësitë e një vendi të madh. “Gjendja ndërkombëtare po ndryshon pandërprerë, por zhvillimi paqësor është gjithmonë motivi kryesor dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta mbetet gjithmonë i pandryshuar. Populli kinez e çmon shumë paqen, prandaj ne dëshirojmë të përpiqemi së bashku me komunitetin ndërkombëtar, duke pasur si objektiv më të lartë të gjithë njerëzimin dhe duke u përpjekur për të mirën e popullit tonë, të nxitim krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe të ndërtojmë një botë më të bukur”, u shpreh presidenti i Kinës.

Viti 2024 është jubileu i 75-vjetorit të krijimit të Republikës Popullore të Kinës. Për zhvillimin e vendit në këtë vit të shënuar, Xi Jinping-u kërkoi nxitjen e modernizimit të stilit kinez, përshpejtimin e zhvillimit me cilësi të lartë, thellimin në mënyrë të gjithanshme të Reformës dhe Hapjes, si edhe realizimin e zhvillimit të integruar të Hong-Kongut dhe të Makaos në kuadrin më të gjerë të zhvillimit të mbarë atdheut, duke bërë thirrje njëkohësisht për bashkimin e bashkatdhetarëve në të dy brigjet e Ngushticës së Tajvanit.

“Në këtë kohë nata e çdo familjeje ndriçohet. Le të urojmë që atdheu ynë të ketë begati e bota të ketë paqe e qetësi, dhe që të gjithë të kalojnë një vit të bukur me lumturi, shëndet dhe mbarësi!”, përfundon mesazhi i urimit i presidentit kinez për Vitin e Ri 2024.