Shokë, miq, zonja dhe zotërinj,
Në prag të vitit të ri, ju shpreh urimet më të mira nga Pekini për vitin 2020!
Në vitin 2019 kemi arritur përparime me një punë të pandërprerë e konkrete dhe me një vullnet të vendosur. Në këtë vit që po mbyllim, kemi çuar përpara në mënyrë të qëndrueshme zhvillimin me cilësi të lartë: PBB-ja vjetore e Kinës pritet t’i afrohet vlerës 100 trilionë juanë dhe për frymë do t’i kalojë 10 mijë dollarët amerikanë. Kemi arritur përparim të dukshëm në tre detyra kryesore, që janë parandalimi i rreziqeve të mëdha, zhdukja e varfërisë sipas kushteve specifike dhe lufta kundër ndotjes. Tani po shpejtohen zhvillimi i bashkërenduar i rajonit Pekin-Tianjin-Hebei, i Brezit Ekonomik të Lumit Jance dhe i Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao, si edhe zhvillimi i integruar i rajonit të Deltës së Lumit Jance.
Këtë vit, vlerësohet se afro 340 konte dhe mbi 10 milionë banorë kanë dalë nga varfëria. Sonda “Chang’e-4” u bë mjeti i parë i fluturimeve hapësinore në botë që zbriti në anën e prapme të Hënës, u lëshua me sukses raketa e Marshimit të Madh nr.5, u krye lundrimi i parë i anijes kërkimore “Xuelong-2” në Polin Jugor, ka hyrë në fazën përfundimtare formimi i rrjetit të pozicionimit satelitor global “Beidou”, është shpejtuar përdorimi komercial i teknologjisë 5G-së, u përurua aeroporti ndërkombëtar “Daxing” i Pekinit… Të gjitha këto janë arritur në bazë të punës dhe djersës së kontribuuesve të panumërt, duke pasqyruar imazhin dhe forcën e Kinës në epokën e re.
Në vitin 2019, Reforma dhe Hapja vijuan të shfaqin gjallëri për nxitjen e zhvillimit: u kurorëzua reforma e institucioneve partiake dhe shtetërore, u krijuan një sërë zonash pilot të tregtisë së lirë në provinca të ndryshme dhe u zgjerua zona pilot e tregtisë së lirë e Shangait, si edhe nisi funksionimin në bursë bordi i risive teknologjike. Edhe në jetën e banorëve ka pasur ndryshime të shumta: janë ulur me mbi 2 trilionë juanë taksat dhe tarifat, është ngritur niveli i tatimit për të ardhurat individuale dhe janë ulur çmimet e barnave që kanë përdorim më të gjerë, shpejtësia e internetit është ngritur ndërsa tarifa është ulur, dhe kategorizimi i mbeturinave po i çon banorët drejt një jete me lëshim të ulët karboni. Në të njëjtën kohë, forcat e kuadrove të bazës janë përqendruar më tej te zgjidhja e problemeve më të mëdha.
Në vitin që po mbyllet janë përshpejtuar reforma e mbrojtjes kombëtare dhe e forcave ushtarake, në saje të të cilave, ushtria popullore ka shfaqur një imazh të ri. Kemi zhvilluar paradën ushtarake me rastin e Ditës Kombëtare, kemi mbajtur veprimtari për 70-vjetorin e krijimit të forcave detare e ajrore, si edhe kemi organizuar Spartakiadën e 7-të Ushtarake Botërore. Aeroplanmbajtësja e parë e prodhuar nga vetë Kina ka hyrë në shërbim. Të gjithë anëtarët e ushtrisë popullore janë roja besnike që mbrojnë atdheun tonë si një mur i madh çeliku. Le t’i përshëndesim ata me respekt të lartë!
Ngjarja më e paharrueshme në vitin 2019 është kremtimi i 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Gjatë veprimtarive të organizuara me këtë rast, jemi prekur herë pas here nga arritjet e vendit dhe atdhedashuria e popullit. Sheshi “Tiananmen” u mbizotërua nga gëzimi i jashtëzakonshëm i masave popullore që festonin dhe i ushtarëve solemnë në kuadratet e paradës. Në kuadrin e kremtimit, në mbarë vendin kudo kishte atmosferë të gëzueshme. Njerëzit, me shprehje të krenarisë në fytyrat e tyre këndonin këngën patriotike “Unë dhe atdheu im”. U përlotëm prej mallëngjimit nga fryma atdhetare e popullit dhe nga urimet e tij për Kinën e Re. Të gjitha këto na kanë shtuar forcat e pashtershme për të përparuar në epokën e re.
Gjatë vitit 2019 kam qenë në disa krahina. Në Zonën e Re Xiong’an pashë një hartë zhvillimi në realizim e sipër; në Tianjin vizitova një port të lulëzuar; në nënqendrën administrative të Pekinit dëshmova ndërtimin e pandërprerë. Kam shijuar bukurinë e stepës madhështore të Mongolisë së Brendshme, të korridorit Hexi (në perëndim të Lumit të Verdhë) e të Lumit të Verdhë mahnitës dhe u kënaqa kur pashë jetën e lumtur të banorëve në të dy brigjet e lumit Huangpu. Gjatë ndjekjes së gjurmëve të revolucionit, vizitova pikën e mbledhjes së Ushtrisë së Kuqe në Yudu të provincës Jiangxi, muzeun e kryeqendrës së bazës revolucionare Hubei-Henan-Anhui-Jiangsu në Xinxian të provincës Henan, përmendoren e forcave ushtarake në Gaotai të provincës Gansu dhe muzeun revolucionar në kodrat Xiangshan të Pekinit. Çdo ndalesë më ngjalli kujtime e mendime të shumta dhe më kujtoi se besimi dhe misioni origjinal janë forcë e pashtershme për të na inkurajuar drejt Marshimit të Madh të ri.
Si në vitet e tjera, me gjithë ngarkesën e punës, edhe sivjet gjeta kohë të bëja vizitë nëpër familjet e thjeshta. Gjatë këtyre vizitave, banorët më folën shumë me sinqeritet, çka nuk e kam harruar. Sivjet, banorët e kombësisë dulong në Yunnan, fshatarët në Xiadang të provincës Fujian, ushtarët e ekipit “Wangjie”, studentët e masterit të klasës “kampione” të Universitetit të Sporteve të Pekinit, disa nxënës dhe vullnetarë të moshuar në Makao më shkruan letra. Në përgjigje, vlerësova arritjet e tyre, duke u shprehur edhe urimet më të mira.
Në vitin që po lëmë pas, jemi prekur nga shumë njerëz dhe ngjarje. Nga Zhang Fuqing që fshehu arritjet e veta dhe ka ruajtur në zemër objektivin origjinal për tërë jetën, nga Huang Wenxiu që sakrifikoi jetën e vet për punët e zhdukjes së varfërisë, nga 31 guximtarët nga Muli i provincës Sichuan që humbën jetën prej zjarrit, nga Du Fuguo që mbrojti shokët me trupin e vet dhe nga ekipi kombëtar i volejbollit për femra që fitoi kupën e botës me 11 fitore radhas… Shumë heronj anonimë që kanë dhënë kontribut me gjithë zemër kanë bërë një jetë të jashtëzakonshme me këto vepra.
Në vitin 2019, Kina vazhdoi të përqafojë botën krahë hapur. Organizuam Forumin e 2-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi “Një brez, një rrugë”, Ekspozitën Botërore të Kopshtarisë të Pekinit, Konferencën për Dialogun mes Qytetërimeve Aziatike dhe Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, duke i treguar botës një Kinë të qytetëruar, të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Kam pasur takime me krerët e shteteve dhe të qeverive të shumë vendeve, duke shtjelluar qëndrimet e Kinës, duke shtuar miqësinë dhe duke thelluar konsensusin. Në vitin 2019 pati disa vende që vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe numri i vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën ka arritur në 180. Miqtë tanë ndodhen në mbarë botën!
2020-a do të një vit me rëndësi historike. Ne do të realizojmë në mënyrë të gjithanshme shoqërinë e mirëqenies dhe do të arrijmë objektivin e 100-vjetorit të parë (100-vjetori i krijimit të Partisë Komuniste të Kinës). 2020-a do të jetë një vit vendimtar për luftën kundër varfërisë. Boritë e kushtrimit tashmë kanë rënë. Duhet të bashkohemi me një zemër, të përpiqemi me zell përpara vështirësive e rreziqeve, të përmirësojmë më tej pikat tona të dobëta, të forcojmë më tej bazën tonë dhe të fitojmë këtë luftë kundër varfërisë, për të siguruar që, me standardin e tanishëm, të gjithë të varfrit në zonat rurale dhe qytezat e varfra të vendit të dalin nga varfëria në afatin e përcaktuar.
Pak ditë më parë mora pjesë në veprimtaritë kremtuese për 20-vjetorin e kthimit të Makaos në atdhe dhe jam i kënaqur nga lulëzimi dhe qëndrueshmëria në Makao. Përvoja e suksesshme e Makaos tregojnë që parimi “Një vend, dy sisteme” është një rrugë e mundshme dhe që përkrahet nga populli. Në disa muajt e fundit, gjendja në Hong-Kong ka tërhequr vëmendjen e njerëzve. Nëse nuk ka një mjedis harmonik e të qëndrueshëm, si mund të gjejmë qetësi në punë dhe në familje! Në mënyrë të sinqertë, urojmë më të mirën për Hong-Kongun dhe bashkatdhetarët në Hong-Kong. Lulëzimi dhe qëndrueshmëria e Hong-Kongut është dëshira e përbashkët e bashkatdhetarëve hongkongas, si edhe e mbarë popullit të atdheut.
Lumi i historisë është i gjatë dhe rrjedh pandërprerë. Ai kalon kohë të qeta, por edhe të trazuara. Ne nuk kemi frikë nga koha e keqe ose gjendja e vështirë apo e rrezikshme. Kina në mënyrë të vendosur do të ecë në rrugën e zhvillimit paqësor, do të ruajë paqen botërore dhe do të nxitë zhvillimin e përbashkët.
Jemi të gatshëm të bashkojmë duart me popujt e botës për të zbatuar aktivisht nismën “Një brez, një rrugë”, për të nxitur ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe për t’u përpjekur pandërprerë për një të ardhme të bukur të njerëzimit.
Në këtë moment, shumë njerëz ende po shërbejnë në postet e tyre. Shumë prej tyre po ruajnë paqen e sigurinë dhe shumë të tjerë po punojnë me zell. Faleminderit për punën tuaj të palodhshme!
Le të përpiqemi që herët në mëngjes, duke mos e çuar dëm kohën, për të pritur bashkë ardhjen e vitit 2020.
Ju uroj të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri!