Mesatarisht rreth 640 dënime trafiku çdo ditë shënohen në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut brenda një dite mesatarisht shënohen rreth 640 dënime nga Policia e Maqedonisë së Veriut në komunikacion. Në këtë periudhë janë larguar 252 automjete nga trafiku për shkak se nuk kishin regjistrim, ndërsa 55 tjera për shkak parregullsive teknike, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën nga 01.11.2025-16.11.2025, si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut që po realizojnë nëpunësit policorë nga të gjitha sektorët e punëve të brendshme në rrugët e mbarë vendit, nga gjithsej 10.210 urdhra pagesash të lëshuara, 2.983 shkelje i përkasin shoferëve që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e përshkruar të lëvizjes”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Policia sqaroi që gjatë kontrolleve janë arrestuar 55 persona për drejtim të pakujdesshëm të veturës, 37 prej tyre për shkak alkoolit, ndërsa 11 për shkak tejkalimit të shpejtësisë brenda vendbanimit.

Në këtë periudhë janë dënuar edhe 42 shoferë të motoçikletave, katër drejtues të trotineteve elektrike dhe 282 këmbësorë.