Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të pranojë se nuk ka mundësi që të largoht me sukses nga lufta në Ukrainë.
“Ne duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Merz në Bundestag.
“Por një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk do të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, ka shtuar ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se ishte gati të avanconte një kornizë të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe të diskutonte pikat e diskutueshme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në bisedime që ai tha se duhet të përfshijnë aleatët evropianë.
“Vendimet për çështjet evropiane mund të merren vetëm me pëlqim të ndërsjellë. Ukraina nuk është një gur shahu, por një aktor sovran për interesat dhe vlerat e veta”, ka deklaruar Merz.
Kancelari ka shtuar se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë popullin ukrainas dhe do të përdorë asetet e ngrira ruse për këtë qëllim.
Gjermania do të rrisë ndihmën financiare për Ukrainën në 11.5 miliardë euro, në buxhetin e vitit 2026, nga 8.5 miliardë euro të planifikuara më parë.




