Merz dhe Macron zotohen se do të luftojnë për “sovranitetin” digjital të Evropës

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u zotuan se do të ndihmojnë Evropën që të zë hapin në garën e inteligjencës artificiale dhe ta çlirojnë kontinentin nga varësia e madhe ndaj gjigantëve amerikanë të teknologjisë.

Duke folur në një samit në Berlin, ku morën pjesë kompani rajonale të teknologjisë, udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të Evropës premtuan më 18 nëntor po ashtu se do të lehtësojnë rregullat për sektorin digjital, rregulla që shumë kompani ankohen se po i pengojnë që të bëjnë përparim.

“Evropa nuk dëshiron të jetë kliente e sipërmarrësve të mëdhenj apo e zgjidhjeve të mëdha që ofrohen nga SHBA-ja apo Kina. Ne duam të krijojmë zgjidhjet tona”, tha Macron, duke shtuar se ky qëndrim përfaqësonte “një refuzim për të qenë vasal”.

Merz bëri thirrje që Evropa “të bashkojë forcat dhe të krijojë rrugën e vet digjitale dhe kjo rrugë duhet të çojë drejt sovranitetit digjital”.

“Sovraniteti digjital ka kosto, por kostot e varësisë digjitale janë edhe më të larta”, tha kancelari gjerman.

Merz tha se kompanitë po zotohen se do të investojnë 12 miliardë euro për të ardhmen digjitale të Evropës, por nuk dha më shumë detaje.

Evropa po i përgjigjet thirrjeve për të krijuar rrugën e vet digjitale, ndërsa shqetësimet rriten lidhur me dominimin teknologjik të SHBA-së, në një kohë kur marrëdhëniet me Uashingtonin janë gjithnjë e më të ndërlikuara nën administratën e presidentit Donald Trump.

Pavarësisht tensioneve SHBA–Evropë, një zyrtar i lartë i Presidencës franceze tha më herët se samiti nuk kishte të bënte me “konfrontimin” me SHBA-në apo edhe Kinën, por me mbrojtjen e “sovranitetit tonë thelbësor”.

Merz kërkoi “kushte më të mira për inovacionin digjital, që do të thotë se na nevojitet një thjeshtim radikal i praktikave tona sa i përket rregulloreve”.

Macron përçoi të njëjtin mesazh.

“Gjatë viteve të fundit ne i kemi dhënë prioritet rregullimit të aktorëve tanë vendas. Dhe kjo është ajo që duhet të ndryshojmë. Duhet të kemi inovacion më pas rregullativa”.

Thirrjet e liderëve erdhën një ditë para se BE-ja të propozojë lehtësimin e rregullave mbi inteligjencën artificiale dhe mbrojtjen e të dhënave, një lëvizje e mirëpritur nga bizneset, por e kritikuar nga aktivistët që merren me çështje të privatësisë.

Macron gjithashtu bëri thirrje që kompanive evropiane të teknologjisë t’u jepet përparësi gjatë tenderëve, veçanërisht nga sektori publik./rel