Merr fund loja me presidentin shqiptar!

Shkruan: Medai Shaholli

Këtë mërkurë më 24 prill, merr fund loja me presidentin shqiptar të “drzhavës”, ku siç pritet do të bien nga gara të dy kandidatët shqiptarë për shkak të votimit të pamjafteshëm për ta kaluar turin e parë.
Disa javë rresht
partitë politike sfilitën elektoratin, ku trazuan dhe dalldisën dynjanë gjithandej duke i telendisur nëpër tubime me premtime se gjoja këtë radhë do ta kemi presidentin shqiptar në krye të shtetit, gjithsesi nuk do të rezultoj me sukses.

Për t’u zgjedhur president duhen votat e së paku 50,1 të votuesve në mbarë vendin dhe këtë fakt e dinë partitë politike shqiptare se ato vota nuk i mbledhin dot, pasi kampi slavo-maqedon nuk voton për kandidat shqiptar për derisa kanë kandidatët e tyre.

Demagogjia e radhës është se partitë shqiptare premtojnë një president fiktiv dhe përmes ketij emri duan ta mbajnë në këmbë elektoratin dhe militantët e tyre edhe kur do të humbasin në këtë garë, ato fajin do t’ia hedhin njëra-tjetrës për mosvotim të kandidatit të tyre.

Nuk është dëshira e një partie apo një pjese e elektoratit që të bën president por, numri i mjaftueshëm i votuesve që të votojnë duke mbledhur së paku 50,1 të votuesve në mbarë vendin.
Dhe këto votues mjerisht shqitarët nuk i kanë.

Edhe në të kaluarën subjektet politike shqiptare kanë nxjrrë kandidatë shqiptarë për president por janë “djegur rrugës”, për shkak të votave të mjaftueshme që duhen për t’u bërë president i Republikës.

Gara finale do të luhet mes kandidatëve të kampit tjetër, ku kandidates së komitëve Siljanovska-Davkova dhe atij të socialdemokratëve Pendarovski, në turin e dytë do t’i duhen votat e shqiptarëve që vendosin se cili do të zgjidhet presidenti i ardhshëm i “drzhavës”.

Një rast i mirë ky për subjektet politike shqiptare që do mund të bënin një punë për së mbari në këto tri dekada të servilizmit të tyre nda pushtetit, duke kërkuar si kusht ndaj mbështetjes së kandidatit të tyre në turin e dytë, fshirjen e njollës së turpit të 20% nga kushtetuta sa më parë që të jetë e mundur me garanca të forta dhe pa shmangie nga premtimi gjatë ndryshimeve kushtetuese.

Por, subjektet politike shqiptare nuk i ha meraku për përdhosjen e identitetit gjuhësor që pushteti sllavo-maqedon na ka përveshur si nofkë.
Ata nuk e kanë seriozisht fshirjen e njollës së turpit pasi e kanë ngrënë turpin me lugë, edhe atëherë kur kanë patur rast që ai turp të lahej me nder qysh me rastin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese në janar të vitit 2019, ku ata nuk e shlyen atë nen që përdhos gjuhën shqipe por, u justifikuan se në emër të eurointegrimeve po sakrifikojmë identitetin gjuhësor dhe se në ndryshimet e radhës 20% do të jetë në rend dite.

Pikërisht, për mbrojtjen e identitetit gjuhësor pala maqedone vitin e kaluar ishte e gatshme të sakrifikoj eurointegrimet në emër të mbrojtjes së identitetit të tyre gjuhësor nga mosnjohja dhe shantazhi bullgar ndaj emrit dhe gjuhës maqedone.

Partiçkat tona politike janë dëshmuar tashmë se nuk janë krijuar për t’i mbrojtur interesat kombëtare të shqiptarëve, por për të përfituar nga rasti dhe çasti se kush më shumë e më mirë do t’i shërbej pushtetit si servile të përjetshme të tyre.

Ndaj, shqiptarët mos të kenë ilozione dhe të shohin ëndrra me sy hapur se këtë radhë do të kemi presidentin shqiptar, sepse ato janë thjesht demagogji, për më tepër është luftë mes partiçkave tona për një çikë pushtet brenda oborrit qeveritar!