Merko në “Listën e Zezë” amerikane, heshtje në BDI, Grubi dhe Osmani nuk flasin

 

BDI mbeti pa reagim pasi Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se anëtari i tyre i lartë dhe njëri nga shefat lokal të Strugës, Ramiz Merko dje u shpall person “non grata” nga SHBA-të, duke u futur në të ashtuquajturën “listë të zezë” të Shteteve të Bashkuara.

Redaksia e “Makfax” ka kontaktuar me zyrtarët e partisë Artan Grubin dhe Bujar Osmanin, por ata nuk iu përgjigjën mesazheve të tyre. Nuk ka pasur qëndrim për çështjen nëse do ta dërgojnë në pension politik dhe do të kërkojnë përgjegjësi.

“Grubi dhe Osmani nuk po përgjigjen nëse u besojnë pretendimeve nga Departamenti i Shtetit, kur thonë se Merko ka përvetësuar fonde, ka ndërhyrë në drejtësi dhe ka ulur besimin që publiku ka tek institucionet”, transmeton Makfax.

Ndryshe, pasditen e djeshme është bërë i ditur vendimi, sipas të cilit kryetari i Komunës së Strugës, Merko, është një tjetër zyrtar nga Maqedonia i cili është në listën e zezë të SHBA-ve. Madje ai nuk ka folur për një vendim të tillë.(INA)